Shkup, 16 nëntor, NOA - Agjencitë turistike po bëjnë parapërgatitjet për të qenë gati dhe për të përmbushur kapacitetet turistike dhe linjat e reja të udhëtimit nëpër vendet e Bashkimit Evropian, në prag të vendimit për heqjen e vizave.
Një pjesë e madhe e agjencive theksojnë se po bëjnë gati ofertat e tyre të volitshme kryesisht nëpërmjet linjave ajrore dhe linjave të autobusëve për fluksin e pritur të qytetarëve që do tia mësyjnë vendet evropiane.
Në këtë drejtim tanimë kemi edhe ofertën e re të agjencisë "Skyuings", e cila filloi aplikimin e linjave të shpeshta në drejtim të qendrave evropiane, edhe ate me çmime të volitshme. Përveç, kësaj edhe shumë kompani të fuqishme kanë shprehur interes për të qenë aviotransportues kombëtar i Maqedonisë, pas dështimit të MAT dhe marrjes së licencës nga kjo agjenci.
Se do të ketë më shumë lëvizje dhe udhëtime, që nënkupton edhe rritje të kapaciteteve të punës për agjencitë, flasin edhe menaxherët dhe pronarët e tyre. Nga "Rinia Reisen" bëjnë të ditur se sigurisht janë të gatshëm me ofertat e tyre që nga të gjithat qytetet e Maqedonisë të organizohen linjat e udhëtimeve me autobusëve në drejtim të vendeve të BE-së, por kjo agjenci është në dispozicion edhe për rezervimet nëpërmjet linjave ajrore. Poashtu një mundësi të mirë e shef edhe ekipi menaxherial i kompanisë "Bashkimi Turs", e cila thekson se mezi po e presin heqjen e vizave, kur do të ketë edhe zhbllokim të punës së tyre, e cila siç thuhet ka qenë e rënë tejmase, për shkak të izolimit të vendit.
Agjencitë turistike theksojnë se me heqjen e vizave do të ketë edhe rezervime dhe oferta për vizita turistike në disa lokacione dhe qendra turistike evropiane. Punonjësit e agjencive nuk fshehin faktin se çdo ditë ka interes të lartë të qytetarëve për të pyetur për çmimet e biletave dhe mundësitë e udhëtimit nëpër destinacionet e tyre të preferuara. Sidoqoftë edhe agjencitë turistike presin 19 dhjetorit me shumë entuziazëm sikur qytetarët e mbarë vendit.
NOA-INA