Tiranë, 17 nëntor NOA - Kryeministri, Sali Berisha priti sot në takim përfaqësuesin e OKB-së në Kosovë, ambasadorin Roberto Zanieri.
Në takim, u vlerësua organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të mira lokale në Kosovë, në klimë tërësisht të qetë dhe demokratike, si dhe pjesëmarrja cilësore e pjesëtarëve të minoritetit serb në shumë zona, ku ata banojnë.
Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e organizimit të një Konference të dytë donatorësh për mbledhjen e ndihmave financiare për Kosovën, në vijim të suksesit që Konferenca e parë e donatorëve pati në këtë drejtim.
Në takim u shpreh shqetësimi për qëndrimin jo-konstruktiv të Beogradit dhe për vështirësitë që ai krijon për rolin që duhet të luajë Kosova në bashkëpunimin rajonal, si edhe për rolin ndikues që Beogradi vijon të luajë në lidhje me disa zona në veri të Kosovës, ku banojnë kryesisht anëtarë të minoritetit serb.
Gjithashtu gjatë takimit, Berisha dhe Zanieri vlerësuan më tej rolin e misioneve të tjera ndërkombëtare në Kosovë dhe në veçanti EULEX-in duke theksuar rëndësinë thelbësore e perspektivës euroatlantike të Kosovës dhe ecjes përpara sa më shpejt me hapa konkrete në këtë drejtim.
k.k/NOA