English

Ende sot, 65 vjet më vonë, në vendin ku ne jetojmë liria është larg

"Ende sot, 65 vjet më vonë, në vendin ku ne jetojmë, liria është larg, shumë larg së qeni liria e Botës së Re; barazia përpara ligjit e mundësive është larg, jashtëzakonisht larg së qeni barazia e botës ku duam të integrohemi; vëllazërimi është larg, shumë larg së qeni i arritshëm në këtë vend ku dasia ushqehet si qeni besnik i një politike, që tek dasia ka gjetur aleatin e vet strategjik"

Nga Edi Rama* Fotot: LSA

Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës

"Përkujtojmë sot 17 nëntorin e vitit 1944. Unë ndihem i privilegjuar, që janë këtu të pranishëm edhe disa prej atyre shqiptarëve e shqiptareve, që me kurajë të jashtëzakonshme, e shënuan këtë datë në kalendarin e kujtesës sonë historike.

65- vjet më parë, Tirana, qyteti ynë dhe kryeqyteti i Shqipërisë e i gjithë shqiptarëve,

doli e çliruar nga Lufta e Dytë Botërore, falë një beteje të zhvilluar heroikisht, me fuqinë e idealit të lirisë, kundër një të keqeje që ngjante e pakthyeshme, në rrugën e nënshtrimit të botës.

Çdo vit janë më të paktë protagonistët e gjallë të asaj lufte, që shpëtoi botën nga terrori nazist, veteranët antifashistë. Koha e ndarjes nga kjo botë vjen natyrshëm për çdo brez,

por me kujtimin e veprës së tyre të madhe patriotike të Luftës Antifashiste, nuk do të ndahet kurrë asnjë prej brezave që do të vijnë.

Çlirimi i Tiranës do të kujtohet gjithnjë, në të gjitha kohët, si një nga betejat më vendimtare të popullit shqiptar, në Luftën Antifashiste. Ajo luftë është e do të jetë pjesë e ndritur dhe barrë e rëndë e amanetit të atyre që e bënë me idealizëm, jo për diktaturën e egër komuniste që e pasoi, po për Botën e Re të lirisë, barazisë e vëllazërimit, të cilën e ëndërruan me forcën e pashoqe të një dëshire vetëmohuese.

Asnjëherë, ky popull nuk të reshtë së qeni mirënjohës për ata e ato që e bënë atë luftë,

pa kursyer as jetën e tyre për të shpëtuar Shqipërinë, duke e rreshtuar atdheun tonë përkrah gjithë forcave të së mirës, kundër së keqes dhe duke u bërë të gjithë brezave pasardhës nderin e paçmueshëm të të qenit natyrshëm, pjesë e një historie të madhe që i bën nder Shqipërisë së vogël.

Por sot, 65 vjet më pas, madje në çdo vit e përvjetor që shkon, nderimi për të rënët në atë luftë e për veteranët e saj, nuk mund të jetë kurrsesi vetëm një moment ceremonial për të shkuarën. Kaq është jo thjesht pak, po mangësisht shumë, sepse ne që vijmë pas, kemi detyrimin t'i kujtojmë ngjarjet e protagonistët që e shkruan atë histori të lavdishme në të shkuarën, duke reflektuar për lirinë e vlerat e lirisë në jetën që bëjmë, shoqërinë ku jetojmë, botën që ndërtojmë.

65 vjet më parë, më 17 Nëntor 1944, pushtuesit u larguan të mundur nga ky qytet, por fitimtarët e humbën shpejt rrugën e lirisë dhe duke kërkuar parajsën komuniste u kthyen në skllevër të mbyllur, brenda ferrit të utopisë së tyre.

Liria u asgjësua, barazia u bë sinonim i varfërisë, vëllazërimi u sakrifikua në luftën e dasisë klasore.

Ende sot, 65 vjet më vonë, në vendin ku ne jetojmë, liria është larg, shumë larg së qeni liria e Botës së Re; barazia përpara ligjit e mundësive është larg, jashtëzakonisht larg së qeni barazia e botës ku duam të integrohemi; vëllazërimi është larg, shumë larg së qeni i arritshëm në këtë vend ku dasia ushqehet si qeni besnik i një politike, që tek dasia ka gjetur aleatin e vet strategjik.

Lufta e partizanëve shqiptarë dhe krimet e regjimit komunist nuk janë vazhdim i njëra-tjetrës. Partia Socialiste e socialistët shqiptarë dhe diktatura komuniste nuk janë vazhdim i njëri-tjetrit; nuk janë vazhdim i njëra-tjetrës as Lëvizja Demokratike e demokratët shqiptarë, me diktaturën e re të korrupsionit në Shqipëri.

Në respekt të të gjithë atyre që luftuan për lirinë e Shqipërinë e Lirë, në të gjitha kohët e posaçërisht në kohën e madhe të Luftës Antifashiste, në respekt të të gjithë atyre që u flijuan për një atdhe të lirë apo u masakruan për lirinë e tyre në të njëjtin atdhe, dëshiroj në këtë përvjetor të madh të një lufte për liri, të uroj që kjo shoqëri të bëhet më e vetëdijshme për keqpërdorimin ende sot, të antikomunizmit si mjet për të sunduar në dëm të lirisë së njëllojtë kushtetuese të secilit e të barazisë të të gjithëve para Kushtetutës e ligjit.

Liritë kushtetuese e barazia mes njerëzve përpara ligjit, janë në fakt vlerat reale të antifashizmit e antikomunizmit, njëkohësisht vlerat e Botës së Lirë të popujve të lirë që jetojnë edhe brenda Bashkimit Europian. Dje Bashkimi Europian i hapi rrugë procedurës së aplikimit të Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit kandidat. Padyshim është një lajm i mirë për ne të gjithë, edhe pse si të gjitha lajmet që vijnë nga Europa për Shqipërinë është i vonuar, jo për shkak të europianëve a shqiptarëve, por për shkak të atyre që keqqeverisin Shqipërinë.

Kemi mbetur të fundit në Ballkan që ende nuk lëvizim dot pa viza dhe ata që na keqqeverisin e quajnë sukses që Europa shumë bujare në këtë rast, nuk na e kthen megjithatë kurrizin, edhe pse jo qytetarët por pushtetarët s'kanë bërë ende detyrat e kahershme të shtëpisë.

Jemi po ashtu shumë të prapambetur, më të vonuarit nga të tërë, edhe në këtë provim ku kemi hyrë më në fund dje, pasi kemi pritur tek dera më shumë se gjithë të tjerët për faj të atyre që na keqqeverisin, dhe prapë ata që na keqqeverisin e quajnë sukses, që më në fund miqtë europianë na pranuan të hyjmë në provim, ndërkohë që pushtetarët padyshim duhet të japin llogari, qoftë për vonesën me vizat e qoftë për këtë tjetër vonesë.

Por ndërkohë, më keq akoma, kemi mbetur kaq larg Europës këtu brenda, në atdheun tonë, ku sot liritë e të drejtat kërcënohen e shkelen si s'ka më keq, duke filluar nga liria e të gjitha lirive, ajo e votës; nga e drejta e të gjitha të drejtave; ajo e numërimit të ndershëm të votës.

Ndaj, miq të nderuar!

Më lejoni që këtë fjalë ta mbyll me bindjen, se shumë më tepër nga ç'është bërë deri sot, mbetet për t'u bërë, në mënyrë që nderimi i veprave të mëdha patriotike e i vetë protagonistëve të lavdishëm të historisë shqiptare të së shkuarës, duke filluar nga martirët e luftës kundër diktaturës fashiste e po ashtu edhe martirët e vrarë nga diktatura komuniste, të mos mbetet thjesht një nderim ceremonial për të shkuarën, por të jetë njëkohësisht edhe vijimi i atyre veprave, përmes reflektimit në jetën e punën tonë, të vlerave që sot na mblodhën këtu, në emër të lirive e të të drejtave që u mbrojtën me jetë njerëzish e që s'mund të mungojnë asnjëherë në jetën e njerëzve e të shoqërive të lira."

(*) Fjala e plotë e mbajtur me rastin e 17 Nëntorit, ditës së çlirimit të Tiranës

KOMENTE