English

Haxhinasto: LSI fton të gjitha partitë të bashkëpunojnë për procesin e integrimit

Tiranë, 17 nëntor NOA - Zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto ka dalë sot në një deklaratë për shtyp për të përshëndetur në emër të LSI-së vendimin e djeshëm të Këshillit Evropian për të hapur procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

"Vendimi i Këshillit Evropian është një njohje e vullnetit dhe në mënyrë të veçantë e progresit të arritur nga Shqipëria në procesin e integrimit Evropian të reformave të realizuara dhe atyre në proces në drejtim të forcimit të demokracisë së ekonomisë së tregut dhe të lirive e të drejtave të qytetarëve" tha Haxhinasto.

Ai theksoi se LSI vlerëson të gjithë ata faktorë politike e institucionale që kanë kontribuar në marrjen e këtij vendimi pozitiv nga ana e Këshillit të Ministrave të Evropës.

"Kjo është një faze e re më e lartë e marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Evropian që kërkon përgjegjësi politike nga të gjithë aktorët politikë në vend që kanë si objektiv integrimin e vendit dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve.

LSI shpreh gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet dhe partitë e tjera për ta bërë procesin e integrimit si veprimin e përbashkët kolektiv të shoqërisë dhe politikës shqiptare.

Këtë vendim duhet ta marrin të gjitha partitë sot. Koha i ndëshkon ata që vonohen" përfundoi Haxhinasto.

k.k/NOA

KOMENTE