Shkodër, 17 nëntor, NOA - Plot 22 kilogramë kanabis sativa i janë gjendur një banori të fshatit Palaj në komunën e Shllakut në Shkodër, i cili rezultoi në të njëjtën kohë të ishte edhe posedues i 66 rrënjëve kanabis të sekuestruara dy muaj më parë në këtë fshat.
Burimet policore të Shkodrës konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se personi në fjalë është 24-vjeçari Nard Kodra, banues i fshatit Palaj, i cili është vënë menjëherë në pranga.
Arrestimi i tij u bë pasi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, iu gjend një sasi prej 21.913 kg lëndë bimore e tharë, e cila dyshohet të jetë kanabis sativa.
Gjithashtu nga kryerja e hetimeve, ka rezultuar se Nard Kodra është edhe autor i veprës penale të "Kultivimit të bimëve narkotike", ngjarje kjo e ndodhur në datën 4 shtator të këtij viti, kur në këtë fshat u asgjësuan 66 rrënjë bimë narkotike.
n.e/NOA