Tiranë, 17 Nëntor NOA - Një grup ambasadorësh të BE kanë vlerësuar mbrëmjen e sotme si lajm të keq, faktin se Shqipëria ka lënë dhjetë vende prapa sa i përket luftës ndaj korrupsionit krahasuar me një vit më parë.
Ambasadorët e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, dhe i Ngarkuari me Punë i Suedisë thonë se janë njohur me Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2009 të publikuar nga Transparency International ditën e sotme.
Ky sondazh është konsideruar si indeksi më i besueshëm për matjen e korrupsionit në nivel ndërkombëtar.
Duke komentuar këtë raport, ambasadorët e mësipërm thanë se deklarojnë unanimisht:
"Rënia në rang ndërkombëtar e Shqipërisë është lajm i keq. Ne shpresojmë se kjo renditje do të inkurajojë fuqishëm Shqipërinë për të implementuar në mënyrë urgjente masa për ndryshimin e kësaj tendence dhe për të treguar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet"
"Kjo do të jetë thelbësore, - vijon deklarata, - për të çuar para integrimin e Shqipërisë në BE dhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit për të tërhequr më shumë investime ndërkombëtare të nevojshme.
Deklarata që u përcoll para pak minutash nga Bernd Borchardt, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, mbyllet me pohimin se "ambasadorët përsëritin gatishmërinë e qeverive të tyre për të vijuar mbështetjen e Shqipërisë në këtë luftë kundër korrupsionit".
e.r/NOA