Tiranë, 17 Nëntor NOA - Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti konkluzionet e takimit të sotëm të Ministrave të Jashtëm të BE, zhvilluar në kuadër të GAERC, ku bazuar në kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim dorëzuar në emër të Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, Këshilli ftoi Komisionin Evropian të përgatisë Opinionin e tij lidhur me këtë aplikim.
Ky vendim hap siparin e një procesi intensiv, shumë kërkues dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Ministria e Punëve të Jashtme tha se falënderon vendet anëtare për këtë vendim, duke i siguruar ato se qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar të përgjigjet në cilësinë dhe kohën e duhur në këtë ushtrim, dhe se do të intensifikojë të gjitha përpjekjet për të rritur dinamikën e marrëdhënies sonë me BE në përmasën e një partneriteti të mirëfilltë.
"Ne jemi të ndërgjegjshëm se kjo etapë e re kërkon si kontributin, përkushtimin dhe seriozitetin e institucioneve shtetërore ashtu edhe të institucioneve të pavarura, aktorëve të tjerë politikë, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në formën më gjithëpërfshirëse", - thuhet në qëndrimin e MPJ.
Duke i siguruar të gjithë për gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të hapur dhe konstruktiv, MPJ thotë se fton politikën dhe institucionet të bëhen pjesë aktive e këtij procesi në shërbim të interesave kombëtare të vendit.
e.r/NOA