English

Nishani me ambasadorët e BE: Detyrat tona, pas zhvillimeve më të fundit politike

Tiranë, 17 Nëntor NOA - Ministri i Drejtësisë, z.Bujar Nishani zhvilloi sot një takim informal me ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë me të cilët diskutoi rreth zhvillimeve më të fundit të Reformës Legjislative kryer në kuadër të detyrimeve të Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me Programin e Qeverisë.

Në kuadër të këtij takimi ministri u shpreh, dhe rreth masave që po ndërmerren në përputhje me angazhimeve të dala nga proceset e integrimit europian dhe problematikave të ngritura në Progres Raportin e Komisionit Europian për vitin 2009.

"Ministria e Drejtësisë është angazhuar në përmbushjen me vizion të qartë dhe ritëm të lartë të të gjitha funksioneve të saj, ku rolin më të rëndësishëm e ka zënë Reforma në Drejtësi. "- tha në fjalën e tij, Nishani.

Më tej, ministri i informoi të ftuarit në detaje mbi masat e marra me karakter ligjor, institucional dhe administrativ, të cilat  "synojnë forcimin e shtetit ligjor, rikthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia, luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe transparencën e punës së organeve të drejtësisë."

Aktualisht, pas daljes së Progres Raportit, Ministria e Drejtësisë ka filluar punën për draftimin e Strategjisë për Reformën në Drejtësi, e cila do të përcaktojë në mënyrë të qartë dhe të detajuar qëllimet, parimet dhe planin konkret të veprimit mbi nismat legjislative dhe masat ekzekutive për reformimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë. Parashikohet që strategjia të ketë kaluar të gjitha etapat e konsultimit dhe miratimit brenda vitit 2010.

Takimi u prit pozitivisht nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, të cilët deklaruan mbështetjen ndaj qeverisë shqiptare në hapat e mëtejshëm që do të hedhë në kuadër të procesit të Reformës në Drejtësi.

Ambasadorët e uruan ministrin për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit si vend anëtar në Bashkimin Europian si dhe e përgëzuan për progresin e arritur në integrimin e kuadrit ligjor vendas në përputhje me atë europian.

e.r/NOA

KOMENTE