English

Patozi: PS t'i japë fund bojkotit, do trajtojmë me seriozitet çdo kërkesë ligjore të saj

Tiranë, 17 nëntor NOA - Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka përshëndetur sot vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, që pranoi me unanimitet kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit.

"Është rasti të kujtojmë se verdikti politik i Brukselit vjen pas një seri aktesh kulmore, që nisën me nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocim -Stabilizimit, vijuan me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, dhe përfunduan me anëtarësimin e shumëpritur në Aleancën e Atlantikut, të gjitha këto ngjarje të shënuara politike, që shoqëruan legjislaturën e kaluar.

"Duke e konsideruar atë si një lajm të jashtëzakonshëm për çdo qytetar të këtij vendi, do të dëshironim që këtë gëzim ta ndanin edhe me opozitën, të cilës i duhet njohur merita e vet për bashkëpunimin në reformat e mëdha.

Gjatë këtyre ditëve nuk kemi rreshtuar së bëri thirrje të sinqerta asaj, që t'i japë fund bojkotit të pajustifikuar dhe të marrë të gjitha përgjegjësitë ndaj zgjedhësve të vet dhe vendit.

Sot gjejmë rastin ta përsërisim edhe një herë ftesën tonë, por mendojmë se më shumë se deklaratat tona, vetë vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian është një thirrje e fortë që Partia Socialiste të rishikojë qëndrimin e saj" shtoi më tej Patozi.

Patozi ka garantuar sërish opozitën se do të trajtohet me seriozitetin maksimal çdo kërkesë ligjore të saj.

k.k/NOA

KOMENTE