English

Raporti i TIA për korrupsionin, Tahiri: Shqetësimin e kishim shprehur më parë

Tiranë, 17 nëntor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri ka reaguar sot pas publikimit të Raportit të Transparency International mbi indeksin e korrupsionit në Shqipëri duke deklaruar se ky raport vërteton shqetësimet e vazhdueshme të shprehura PS.

"Raporti e rendit Shqipërinë në vendin e 95-të, plot 10 vende më poshtë se 1 vit më parë. Të parafundit në Ballkan, e të fundit nga vendet anëtarë të NATO. Pra Shqipëria e Saliut, Shkëlzenit, Argitës, Fazllicit, Delijorgjit, Rrahmanit, Lulzim Bashës, Sokol Olldashit, Fatmir Mediut, Fari Balliut, dhe e tufës mafioze që sot qeveris në Republikën Personale e Familjare të Sali Berishës, ka degraduar në spiralen e rrezikshme të korrupsionit elitar për shkak të atyre që sot gjenden të veshur me imunitetin familjar, ministror e parlamentar e që komandohen e mbrohen prej Sali Berishës" tha Tahiri.

Sipas deputetit socialist, qeveria është e kapur dhe e bërë njësh pas korrupsionit galopant që mbizotëron në çdo tender publik, në dogana, tatime, hipotekë, në vepra publike, në administratën shtetërore, sektorin financiar, shëndetësor, në drejtësi, e kudo shtrihet influenca e familjes në pushtet, renditet sot jo vetëm pas vendeve që rrugën e reformave pluraliste e kanë nisur në të njëjtën kohë, por edhe pas vendeve me një tranzicion politik e shoqëror shumë më të vështirë se i yni të tilla si Ruanda, Maroku, Panamaja, e shumë të tjera. "Partia Socialiste e denoncon Sali Berishën, familjarët e tij si dhe shërbëtorët e komanduar prej tij, si përgjegjësit kryesorë për këtë gjendje alarmante ku korrupsioni është kthyer në të vetmin motiv qeverisës e në pengesën e radhës për integrimin evropian. Partia Socialiste e konsideron Sali Berishën dhe qeverinë e tij të paaftë e pa vullnet për të luftuar korrupsionin si shkaktarë kryesorë për këtë renditje të turpshme të vendit tonë ndër vendet më të korruptuara në botë. Zgjidhja e vetme është largimi i Sali Berishës dhe qeverisë së tij, dhe përballja me drejtësinë për të gjithë ata që sot fshihen pas imunitetit familjar e ministror" përfundoi Tahiri.

k.k/NOA

KOMENTE