Gjirokastër 17 Nëntor NOA - Unioni i Gazetarëve të Gjirokastrës, denoncoi sot dhunën e ushtruar ndaj gazetarit të së përditshmes sportive "Sporti Shqiptar" Roland Suli në qytetin e Memaliajt.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e të martës, në shëtitoren kryesore të qytetit të Memaliajt, kur anëtari i Unionit të Gazetarëve të Rajonit të Gjirokastrës Roland Suli, është dhunuar fizikisht dhe ofenduar publikisht nga Dritan Seferi futbollist i ekipit të Memaliajt.
Pa asnjë rrethanë sqaruese, dhunuesi i është drejtuar fillimisht me fjalë ofenduese rrugaçërore gazetarit haptazi dhe më pas e ka shtyrë dhe qëlluar në trup e fytyrë duke e lënduar pa pasoja për jetën.
Në këto kushte gazetari Roland Suli, ka ruajtur gjakftohtësinë dhe është larguar duke shmangur goditjet e mëpasme në dëm të tij.
Reagimi i dhunshëm i Dritan Seferit në ngarkim të gazetarit Roland Suli, është një akt i patolerueshëm dhe meriton të merret në konsideratë nga ana e organeve të zbatimit të ligjit.
Unioni i Gazetarëve të Gjirokastrës, kërkon nga këto organe vënien para drejtësisë të agresorit dhe ndëshkimin e tij në bazë të sanksioneve që përcakton e drejta shqiptare.
Gazetari Roland Suli është dhunuar për shkak të detyrës pasi mjaft herë ka kritikuar gjendjen e ekipit të futbollit të Memaliajt dhe denoncuar në të përditshmen sportive ku ai punon, lojën e dobët të futbollistëve memaljot.
v.d/e.r/NOA