English

Komisionerët kusarë

Disa kusarë në qendrat e votimeve ndoshta e kanë dëmtuar rëndë Mimoza Kusarin. Por, kandidatja e AKR-së për Gjakovën është fituesja morale e zgjedhjeve të 15 nëntorit. E zgjedhje tjera do të mbahen prapë

Nga Berat Buzhala*

Mbiemri i vajzërisë së Mimozës, ironikisht u shkon shumë përshtati atyre kusarëve që natën e zgjedhjeve u panë duke futur vota ilegalisht në njërën prej pikave të votimit në fshatin Damjan të Komunës së Gjakovës. Një dreq e di se çka ka ndodhur në pikat tjera të votimit, ku nuk ka pasur incizime, mirëpo këto fakte të imta, të publikuara nga kandidatja e AKR'së për Kryetare të Gjakovës, lënë të kuptojnë se kur terri ka rënë në tokë, vota e qytetarëve është zhvlerësuar si të ishte letër e WC'së. Në të gjitha debatet televizive e kam mbështetur kandidaturën e Mimoza Kusarit për Kryetare të Gjakovës. Ajo u dëshmua si kandidatja më e suksesshme prej të gjithë kandidatëve fillestarë të këtyre zgjedhjeve. Shikoni Vegim Gashin, Astrit Salihun, Besnik Tahirin dhe disa të tjerë se çfarë fiasko pësuan kur u përballën me kandidatët seniorë të komunave. Kurse, pa asnjë mëdyshje, Mimoza Kusari për një muaj të defilimit të kandidatëve të të gjitha partive nëpër ekranet e televizioneve ka treguar se është njeriu më kompetent për ta udhëhequr një komunë. Ajo ishte shumë komode për të gjitha problemet që i ka diskutuar. Sepse i ka njohur. Mimoza Kusari, për dallim prej kandidatëve fillestarë, arriti që ta rrisë pjesëmarrjen e votuesve të Gjakovës prej 33 për qind, sa kanë qenë në vitin 2007, në afro 50 për qind në këto zgjedhje. Mimoza ka arritur që kandidatët e dy partive të mëdha, si LDK dhe PDK, t'i shtyjë në margjina. Mimoza arriti që ta mbështesë për muri edhe kandidatin e partisë në pushtet, Pal Lekajn, për të cilin të gjithë thonë se ka punuar mirë në mandatin e kaluar. Pa asnjë paragjykim dhe shumë guximshëm, Mimoza depërtoi në atë që njihet si bastioni AAK'së, në Gjakovë, e për të cilën të gjithë e kemi ditur se kjo parti nuk do ta lëshojë lehtë. Mimoza ka dëshmuar se ka vend në politikë edhe për njerëzit e rinj, që e kanë ndërmend seriozisht të merren me përmirësimin e jetës së qytetarëve. Këtë angazhim të saj, gjakovarët ia kanë shpërblyer me notën 10. Ajo përnjëmend nuk arriti që të shkojë në balotazh, falë edhe punës së palodhshme të komisionerëve, por ka kaluar në balotazh në sytë e gjithë popullatës së Kosovës. Ajo e ka humbur betejën në Gjakovë, në një prej fronteve më të papërshtatshme në Kosovë, por e ka fituar një betejë të madhe në nivel të shtetit tonë. Ajo tashmë i ka dyert e hapura për t'u bërë pjesë e politikës më të madhe. Kush dyshon në këtë, le të futet në profilin e saj në Facebook. Për momentin, ajo faqe është shndërruar në forum të mbështetësve të saj, që më plot pezëm e kontestojnë procesin zgjedhor në Komunën e Gjakovës. Në ketë faqe pas saj janë rreshtuar 12 mijë persona, kurse disa mijëra të tjerë - AKR thotë 10 mijë - u mblodhën për të protestuar publikisht rrugëve të Gjakovës. Ka kaluar një kohë e gjatë që 5 mijë apo 10 mijë veta kanë protestuar për ndonjë kauzë që nuk ka të bëjë me Serbinë. Nuk di ndonjë gjë tjetër, përveç atyre videove të turpshme që i ka prezantuar Mimoza në një konferencë për shtyp, por po ma merr mendja se diçka e çuditshme ndodhi në Gjakovë me 15 nëntor. Teorikisht është e mundur çdo gjë, por praktikisht thuajse është e pamundur që dy kandidatë që në raundin e parë t'i marrin mbi 90 për qind të votave, duke i shkelur krejtësisht me këmbë të gjithë të tjerët. E sidomos përfaqësuesin e LDK'së, për të cilin deri një ditë para zgjedhjeve thuhej se gjithashtu është konkurrent i denjë për këto zgjedhje. E si ndodhi që Fehmi Vula, një gjakovar denbabaden, një kirurg i ndershëm, një person i respektuar nga e gjitha Gjakova, ta fitojë një përqindje skandaloze, prej 5 për qind? Fati i keq i Mimozës është se momenti për t'i kontestuar këto zgjedhje nuk është më i miri i mundshëm. Bashkësia ndërkombëtare, më e interesuar sesa për Gjakovën si rast specifik, ka qenë e interesuar që ky proces si i tillë të kalojë pa probleme të mëdha. Për ketë arsye prej State Departament'it e deri në Bruksel kanë reaguar shpejt për ta përshëndetur procesin zgjedhor, e cila gjë i ndihmon shumë imazhit të Kosovës. Kurse Mimoza dhe AKR gjenden në mes dy dilemave, e ndoshta edhe presioneve: ta vazhdojnë betejën e tyre për të zbardhur procesin e zgjedhjeve në Gjakovë, qoftë edhe në rrugë, apo të sakrifikojnë një të drejtë të tyre, që këtij procesi t'i vihet një kapak, i cili i mbulon edhe anët e mira por edhe ato të errëta të këtij procesi. Cilado që të jetë zgjidhja, tashmë dihet se personi më atraktiv dhe më simpatik i datës 15 nëntor është Mimoza Kusari. Aleanca për Kosovën e Re tashmë e ka në dorë një pasuri të jashtëzakonshme politike. Mimoza Kusari është fituese morale e këtyre zgjedhjeve. Kurse në Kosovë do të vijnë zgjedhje të reja.Â

(*) Kryeredaktor, "Express"

KOMENTE