English

Meta takon kreun saudit të Zhvillimit, vlerësohen prioritetet e bashkëpunimit

Tiranë, 18 Nëntor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti sot Drejtorin e Fondit Saudit të Zhvillimit, z. Jusuf Al Bassam.

Gjatë takimit, u diskutua rreth angazhimit të Fondit Saudit të Zhvillimit në financimin e projekteve të ndryshme në Shqipëri si dhe për shtimin e investimeve saudite në të ardhmen.

Z. Meta, pasi vlerësoi kontributin e madh që po jep Fondi Saudit në financimin e disa projekteve me rëndësi strategjike në vend, shprehu vullnetin e Qeverisë shqiptare për të mirëpritur një shtim të investimeve saudite në vendin tonë.

Z. Al Bassam, vlerësoi klimën e favorshme të krijuar për biznesin në Shqipëri dhe nënvizoi rëndësinë strategjike që vendi ynë ka në rajon, si një vlerë të shtuar për të tërhequr investime të mëtejshme saudite.

Z. Bassam gjithashtu shprehu gatishmërinë e Fondit për të rritur investimet saudite në Shqipëri përmes skemave të mikro-kreditit, veçanërisht në fushat e bujqësisë e turizmit. Në këtë kuadër, ai nënvizoi edhe prioritetet e Fondit për kredi të buta kryesisht në arsim dhe shëndetësi, ndërkohë që energjia dhe infrastruktura u vlerësuan si prioritete shumë të rëndësishme.

 Fondi Saudit për Zhvillim mbështet projekte të ndryshme të biznesit për nxitjen e eksportit të prodhimeve industriale dhe është angazhuar për financimin e ndërtimit të fazës së dytë të projektit rrugor "Bypass i Durrësit", ndërtimin e mbikalimit rrugor të Shkozetit dhe Kolektorit të ujërave paralel me Bypasin e Durrësit.

e.r/NOA

KOMENTE