English

Ministri Basha: Shqipëria do të eksportojë vetëm siguri drejt Italisë dhe vendeve të BE

Tiranë, 18 nëntor, NOA - Qeveria shqiptare ka si prioritet të saj rritjen e nivelit të sigurisë në mënyrë që ajo të bëhet eksportuese e saj drejt vendeve fqinje, siç është edhe Italia.

Një fakt të tillë e ka pohuar ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, gjatë një konference të përbashkët për shtyp pas takimit të zhvilluar me homologun e tij, Roberto Maroni, i cili gjendet për një vizitë në vendin tonë.

"Ministria e Brendshme si pjesë e vullnetit të qeverisë do të vazhdojë bashkëpunimin me Italinë, për t'i dhënë mundësi Shqipërisë për të eksportuar vetëm siguri drejt këtij miku fqinj", tha në fjalën e tij Basha.

Duke shtuar më pas se në takimin me Maronin të dy janë ndalur në çështjen e diskutimit mbi goditjen e krimit të organizuar dhe bandave kriminale.

"Diskutuam edhe për sigurinë në kufij dhe ligjin antimafia, për ta bërë Shqipërinë një ndër vendet më të sigurta në rajon", komunikoi Basha.

Më tej, tha se themelimi i qendrës operacionale në Tiranë, shkëmbimi i të dhënave në kohë reale mes policive të vendeve të BE, ndërlidhja e këtyre rrjeteve të informacionit janë arritje të cilat synojnë të rritin nivelin e sigurisë në vend, në kuadrin e integrimit për në Bashkimin Evropian.

n.e/NOA

KOMENTE