English

Rama: Berisha po provokon opozitën dhe po tallet me shqiptarët

Tiranë, 18 nëntor NOA - Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka reaguar për thirrjet e berishës për bashkëpunim e festime.

Sipas Ramës Berisha provokon opozitën dhe tallet me qytetarët e këtij vendit, duke harruar se ata mendojnë me kokën e tyre dhe nuk mendojnë me kokën e tij.

" Thotë hajdeni të festojmë. Çfarë të festojmë? Të festojmë që pas 7 muajsh një vonesë që nuk i ka bërë vaki as njërit prej vendeve që kanë bërë kërkesën për të hyrë në provim që të mund të marrin statusin e kandidatit dhe pas kaq vitesh vonesat, që e ka lënë Shqipërinë në një shoqëri aspak të përshtatshme për vendin tonë dhe këtu kam parasysh se kemi mbetur të fundit fare dhe sot jemi në dyert e provimit dhe pas nesh është Serbia, për të cilën ka një kushtëzim politik deri në rrëzimin e një krimineli famëkeq të luftës" tha Rama.

"Çfarë të festojmë shembjen e tunelit të Kalimashit, të një vepre me një rëndësi kombëtare, që u kthye në pre për babëzinë e këtij regjimi korrupsioni, të festojmë që dëgjojmë ministrin që duhet të jetë i pandehur, dhe të na thotë që shembja ishte e paparashikueshme, pra shqiptarët duhet të paguajnë, ndërsa qeveria mund të shemb investimet e tyre.

Të festojmë se si një pasuri kombëtare, siç është nafta që është kthyer në një tjetër vrimë të zezë të korrupsionit, që nga privatizimi i Armo-s, tek vendimi anti kushtetues i dhënë tanimë nga Gjykata Kushtetuese, që vazhdon të mbetet në fuqi për naftën D2, pra të festojmë se kemi në Shqipëri një pasuri kombëtare të kthyer në një monopol për familjen e Sali Berishës, për çfarë të festojmë? Apo të festojmë atë që ndodhë me pronat private, me një proces marramendës korrupsioni në të gjitha procedurat e kompensimit dhe kthimit të pronave për llogari të pushtetit të familjes, këtë të festojmë? Çfarë ka sot për të festuar?" shtoi më tej Rama.

Sipas tij, nëse Evropa shumë bujarisht e hapi derën për ta futur Shqipërinë në provim, e bëri këtë jo për Sali Berishën dhe jo sepse këtu ka shumëçka për të festuar, por e bëri këtë sepse është koha e fundme për një vend të tërë, për një popull të tërë, që duhet të ishte në krye të proceseve të integrimit në gjithë Ballkanin, që duhet të ishte përpara të gjithëve sot në Ballkan, jo thjesht për atë çka përmendëm lidhur me atë moment kur Shqipëria u tregua nga të gjithë për herë e më të parë si një vend për t'u admiruar, por edhe një fakt tjetër, Shqipëria nuk ka probleme si ato probleme që kanë mbajtur vijimësisht fqinjët tanë në këtë proces integrimi.

k.k/NOA

KOMENTE