English

Sindikata e policisë i kërkon qeverisë një rrogë mujore shpërblim për çdo efektiv

Tiranë, 18 nëntor NOA - Qeveria duhet të shpërblejë të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit me mbi një pagë mujore për t'i "nxjerrë" ata nga gjendja e rëndë ekonomike.

Iniciativa për të shpërblyer uniformat blu është marrë nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit e cila i ka kërkuar qeverisë që deri në fund të këtij viti të shpërblehen të gjithë Punonjësit e Policisë me mbi një pagë mujore për punën e kryer gjatë gjithë vitit, duke iu dhënë mundësi familjeve të tyre që të përballojnë vështirësitë e jetesës nga ana ekonomike.

"Kjo kërkesë bazohet në, Ligjin e Policisë së Shtetit, neni 88 pika 5 ku thuhet: "Punonjësit e Policisë së Shtetit përfitojnë çdo vit në fund të vitit financiar një shpërblim deri në një pagë mujore, të njëjtë me atë të përfituar nga punonjësit civilë dhe punonjësit e administratës shtetërore. Ky shpërblim jepet në bazë të një shkalle përpjestueshmërie, që pasqyron kohën e punës së kryer gjatë gjithë vitit financiar.

Punonjësit që nuk kanë mungesa në punë, për çfarëdo arsye, përveç kohës së pushimit kanë të drejtën e shpërblimit të plotë. Kjo pagë nuk përfitohet në rastet, kur punonjësi është ndëshkuar me masën "përjashtim nga Policia e Shtetit" deklaroi sot Sindikata e unfiromave blu.

Më tej sindikata i është referuar edhe Kontratës Kolektive të Punës, nr. 1966, datë 03.04.2009, neni 5, i cili shprehet se "Punëdhënësi duhet të respektojë të drejtat e punëmarrësve, sipas përcaktimit të ligjit 7961, datë 12.07.1995 (Kodi i Punës i republikës së Shqipërisë, i ndryshuar), konkretisht neni 91, ku shprehet "Orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë jo më pak se 25% të saj.

Kompensimi duhet të jepet jo më vonë se periudha 2-mujore nga dita e kryerjes së punës (shërbimit)".

"Marrim shkas për këtë kërkesë, pasi në realizimin e detyrave, Punonjësit e Policisë, sidomos ata të shërbimeve policore operacionale, u është dashur të sakrifikojnë orë pune suplementare, përveç kohës normale të punës të përcaktuar në ligj (40 orë javore) dhe deri tani nuk janë shpërblyer.

Në evidencat mujore përllogaritet që një Punonjës Policie për 12 muaj të vitit ka konsumuar punë suplementare, jashtë orarit të punës, mesatarisht 380 orë, e barazvlefshme kjo me mbi katër paga mujore, që deri tani nuk janë paguar. Duke llogaritur këtu edhe shpërblimin e fundit të vitit, Punonjësve të Policisë u takojnë deri në pesë paga mujore" bëri të ditur më tej sindikata.

Sipas saj orët suplementare të punës janë realizuar përgjithësisht në sigurimin e rendit dhe qetësisë gjatë fushatës elektorale dhe zgjedhjeve në Qershor 2009, në shërbime për persona të tretë juridikë dhe fizikë publikë ose privatë (sigurimi i rendit dhe qetësisë në aktivitete kulturore e sportive), si dhe për shkak të mungesave organike në strukturat e veçanta.

k.k/NOA

KOMENTE