English

Zv/kryeministri Meta i kërkon vendeve nordike të investojnë në Shqipëri

Tiranë, 18 Nëntor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta kërkon nga vendet nordike që të investojnë në fusha të ndryshme në vendin tonë, duike vlerësuar se përiftimi është i dyanshëm.

Deklarata u bë nga Meta pasi ai ka pritur sot të Ngarkuarin e Posaçem të MPJ të Finlandës Ambasadorin Pasi Patokallio dhe Ambasadorin e Finlandës për Shqipërinë, z. Erkki Huittinen.

Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve politike mes dy vendeve dhe u diskutua mbi mundësinë e zgjerimit të tyre në një shkallë më të lartë përsa i përket bashkëpunimit ekonomik.

Z. Meta, pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës për proçeset integruese të Shqipërisë, theksoi nevojën e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjelltë.

Zv/kryeministri bëri dhe një ekspoze të projekteve të qeverisë shqiptare në fushën e infrastrukturës, që e kthejnë Shqipërinë në një vend me interesa të rëndësishme strategjike për të investuar.Â

Bashkëbiseduesit shprehën gjithashtu vullnetin e Qeverive respektive për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.

Ambasadori Huittinen shprehu vullnetin e Qeverisë së Finlandës për të mbështetur ekonominë shqiptare, duke theksuar ekspertizën e Finlandës në fushat e industrisë pyjore, arsimit, teknologjisë së informacionit dhe porteve.Â

Gjatë takimit, u diskutua edhe rreth bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke të dy vendeve në Organizatat Ndërkombëtare.

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm z.Meta i përcolli ambasadorit Huittinen ftesën për homologun e tij finlandez Aleksander Stubb për një vizitë, së shpejti, në Shqipëri.

e.r/NOA

KOMENTE