Tiranë, 19 nëntor, NOA - Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të ujësjellësit të fshatit Gjokaj, një investim ky me vlerë 39 milionë lekë, si dhe rrugës kryesore të këtij fshati me gjatësi 3.5 kilometra që kap vlerën e 40 milionë lekëve.
"Këto dy ngjarje të rëndësishme për Gjokajn dhe bashkinë e Vorës ndodhën vetëm dy ditë pasi në Bruksel 27 ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë marrë vendimin më të rëndësishëm, në tërë historinë tonë, për sa i përket Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ata vendosën në unanimitet të çelin derën për Shqipërinë, për integrimin e plotë të saj, si vend anëtar në Bashkimin evropian", tha në fjalën e rastit kryeministri.
Ai u zotua para banorëve të zonës se qeveria do të financojë çdo projekt në këtë bashki, në mënyrë që të përfundojmë sa më shpejtë urbanizimin e plotë të Bashkisë së Vorës.
"Ky urbanizim ndryshon Vorën dhe mbarë Shqipërinë, por edhe lehtëson jetën e çdo qytetari të bashkisë tuaj", tha ndër të tjera ai.
"Unë ju garantoj se këto katër vite do të jenë vitet më transformuese të këtij vendi të mrekullueshëm, të këtij vendi me pasuri dhe bukuri përrallorë, por që ka pasur mungesa të mëdha në infrastrukturë, në ujësjellës, në shkolla, në kanalizime dhe këto po i plotësojmë. Sikundër, ju garantoj se çdo vit qeveria ime do të rrisë rrogat dhe pensionet e qytetarëve shqiptarë, e domosdoshme kjo për t'u ndier evropianë", e mbylli fjalën e tij kryeministri në këtë ceremoni.
n.e/NOA