Nga Milena Selimi
Berat, 19 nëntor NOA - Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë Artistike, i cili u mbajt në 31 tetor në qytetin e Fierit do të udhëtojë në Galerinë "Edward Lear", Berat, ku 76 punimet e selektuara do të ekspozohen përgjatë një jave në datat 19-25 nëntor në ambientet e kësaj galerie. Organizatorë të këtij konkursi ishin Bashkia e Fierit, BenArt Studio dhe Shoqata Antik.
Në këtë edicion të katërt u vu re një rritje e jashtëzakonshme si në organizim, por edhe në prezantimin e krijuesve. Anëtarë të jurisë mendojnë se është rritur niveli i vlerave artistike, po ashtu edhe pjesëmarrja numerike.
Saimir Ahmeti, menaxheri i aktivitetit shpjegon se "Konkursi është një mundësi për një shprehje sa më të lirë dhe transparente në botën e fotografisë artistike".
Kanë konkurruar rreth 300 autorë nga shtete të ndryshme të Evropës, Azisë dhe Amerikës. Çudia e radhës ka qenë një kërkesë nga Bangladeshi dhe India, të cilët kaluan deri në finale.
Arben Alliaj, drejtori artistik i Fokus '09 gjen vetëm pak minuta për të ndarë me ne disa mendime.
"Ky konkurs organizohet që të jetë një përballje shkollash dhe eksperiencash, me dëshirën që të provokojë një dialog profesional mbi fotografinë artistike, duke u kthyer në një pikë takimi të përvitshëm ballafaqimi të këtyre vlerave, në një botë, e cila u përket të gjithëve".
Ekspozita e hapur prezanton 76 punime të fotografëve që kanë kaluar fazën e selektimit. Ajo që të bie në sy është ekspresionizmi në shprehje dhe foto e momentit.
Larg vuajtjes dhe dhimbjes, Kosova prezantohet me më shumë gëzime, Shqipëria gjithashtu i ka kaluar ditët e ‘fatkeqësive' dhe ka më shumë mendime në imazhe. Italia na sjell një çast të pakohë në një ditë shiu, ndërsa Greqia ‘luan' me portretin.
Vështirë të gjendet stili i Besart Gërgurit, fituesit të vjetshëm, i cili ka ndërruar kryekëput shprehjen e realizimit në kompozimin e sivjetëm, "Ku është Zoti".
Interesante edhe shprehjet në fotografi nga Vedat Xhymshiti-Kosovë, Bernard Kotlar-Kroaci, Nake Batev-Maqedoni, Agron Berisha-Kosovë, ku detaji i paramenduar kthehet në një imazh që përcjell emocion dhe shqetëson me pyetjen mbi njeriun dhe fatin e tij.
Fotografia nuk është vetëm një pasion, por një mënyrë e interpretimit të realitetit. Ka një pikë të caktuar, ku fotografët e kanë mbajtur imazhin, për ta çuar më tej shikuesin në hapësirën e një bote tjetër, që vazhdon sipas dëshirës dhe fantazisë.
Pjesëmarrësit kanë punuar me aparate dixhitale dhe anëtarët e jurisë dhe kuratori nuk përjashtojnë mundësinë e ekzistencës së një procesi postproduksion, por gjithmonë sipas tyre "duke ruajtur sensin e fotografisë". A duhet punuar një fotografi artistike? Ku është kufiri?
A duhet ndërhyrë me mjetet e reja të teknikës së sotme bashkëkohore për t'i dhënë një fotoje ide që ‘dalin' jo nga syri drejt objektivit, por nga programet e kompjuterit? Argumenta që mund të gjejnë përgjigje në punimet e ekspozuara.
Anëtarë të jurisë në këtë edicion të katërt ishin Enver Bylykbashi (Kosovë), Francesko Licata (Itali) dhe me cilësinë e kryetarit Faruk Basha (Shqipëri). Kurator i konkursit fotografi Osman Demiri (Maqedoni).
m.s/NOA
Fitues të Fokus ‘09:
Çmimi i parë: Endri Dani, "Dhoma e oxhakut".
Çmimi i dytë: Arton Humolli, "Bukuria shqiptare"
Çmimi i tretë: Mirel Gjyzari, "Mendje e hapur"