Tiranë, 19 Nëntor NOA - Kompania e telefonisë celulare AMC ka zhvilluar sot më datë 19 nëntor ceremoninë e ndarjes së bursave për studentët më të mirë.
Ky është viti i tetë radhazi që AMC mbështet studentët që kanë arritur rezultate të larta në Maturën Shtetërore.
Këtë vit, për herë të parë, AMC u akordon bursë edhe atyre studentëve që kanë treguar përkushtim ndaj studimeve dhe kanë arritur rezultate të larta gjatë vitit akademik.
Nga 10 studentët që përfituan bursën vitin e kaluar, 6 prej tyre arritën rezultate shumë të mira duke u mbështetur edhe këtë vit nga AMC.Â
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Tiranës morën pjesë Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, Drejtori Ekzekutiv i AMC-së, z. Stefanos Oktapodas, Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Dhori Kule, Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, z. Jorgaq Kaçani, përfaqësues të stafit akademiko-shkencor të universiteteve si edhe studentë.
Studentët që përfituan bursa studimi për vitin akademik 2009 - 2010 janë nga Universiteti i Tiranës, Universiteti "Luigj Gurakuqi" i Shkodrës, Universiteti "Aleksandër Moisiu" i Durrësit dhe Universiteti Politeknik i Tiranës. Studentët e vitit të parë që përfituan bursë janë nga Fakulteti i Drejtësisë, Ekonomik, Inxhinieria Informatike, Inxhinieria Elektronike dhe Inxhinieria e Telekomunikacionit.
Këta studentë do të vazhdojnë të mbështeten edhe në vitet në vazhdim nëse do të arrijnë rezultate të larta gjatë studimeve.
Gjithashtu këtyre studentëve do t'u ofrohet mundësi trajnimi dhe punësimi të pjesshëm ose të plotë pranë AMC në përfundim të studimeve të tyre.Â
Gjatë ceremonisë z. Stefanos Oktapodas, Drejtori Ekzekutiv i AMC, përgëzoi studentët për rezultatet e larta që kanë arritur dhe shtoi se AMC do t'i mbështesë në ecurinë e tyre të mëtejshme gjatë studimeve.
"AMC do të mbështesë përherë arsimin e lartë në Shqipëri pasi e konsiderojmë atë si pjesë e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Tek studentë si ju, që tregojnë përkushtim dhe tregojnë rezultate të larta gjatë studimeve universitare, AMC dhe shumë kompani të tjera do të furnizohen me punonjës të kualifikuar", - tha Oktapodas.
Kurse Myqerem Tafaj, Ministër i Arsimit dhe Shkencës falënderoi për kontributin që AMC i ka dhënë arsimit në gjithë këto vite.
"Bursat e ofruara prej tetë vitesh nga ana e AMC janë një nxitje për këta studentë të vitit të parë e në vazhdim të studimeve të tyre." tha z. Myqerem Tafaj.
AMC mbështet studentët më të mirë në kuadër të përgjegjshmërisë sociale të kompanisë, duke patur si qëllim përmirësimin e cilësisë së edukimit, nxitjen e arsimit, si dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore të qëndrueshme.
Duke u bazuar në këto parime, AMC ka dhënë kontributin e saj në një sërë projektesh të fokusuara në hallka të ndryshme të sistemit arsimor.
e.r/NOA