Tiranë, 19 nëntor NOA - Prej rreth katër ditësh Policia e Shtetit, ndërmori një aksion për të verifikuar automjetet me targa të huaja me qëllim, evidentimin e makinave të vjedhura jashtë shtetit.
Operacioni i koduar "Targë e Falsifikuar" i cili u organizuar nga data 12-16 nëntor të këtij viti kontrolloi rreth 2700 automjete prej të cilave 47 nuk figurojnë të regjistruara në kufirin shqiptar.
Sipas policisë, ky operacion ka konsistuar në kontrollin, verifikimin, procedimin, bllokimin dhe sekuestrimin e automjeteve me targa të huaja që qarkullonin në gjithë territorin e vendit dhe që dyshohen se mund të jenë të trafikuara, të futura ilegalisht në Shqipëri, apo qarkullojnë me dokumentacion të parregullt ose të falsifikuar.
Në këtë operacion u angazhua, Departamenti për Hetimin e Krimeve dhe strukturat vartëse të tij, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin me strukturat në varësi,
Drejtoria e Policisë Rrugore dhe Drejtoritë e Policive në Qarqe.
Operacioni është zhvilluar duke koordinuar veprimet edhe me struktura të tjera shtetërore, si me Drejtoritë Rajonale të Doganave, Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor etj.
Si rezultat i këtij operacioni nga shërbimet e ngritura në shkallë vendi janë kontrolluar dhe janë kryer verifikimet përkatëse për rreth 2700 automjete, nga të cilat 1600 automjete të kontrolluara kanë qenë me targa të huaja.
Automjetet me targa të huaja janë verifikuar nëpërmjet Sistemit TIMS nëse janë të regjistruara në kufirin shqiptar, nëse vërtetimi i hyrjes është lëshuar në mënyrë të rregullt, nëse kanë dokumentacionin e duhur për qarkullim dhe qarkullojnë brenda afateve të përcaktuara në legjislacionin shqiptar, si dhe nëse janë të vjedhura, të trafikuara, apo me mangësi të tjera ligjore.
Nga verifikimet e kryera në Sistemin TIMS për hyrje-daljet e automjeteve me targa të huaja janë evidentuar 47 raste të qarkullimit në territorin shqiptar të automjeteve me targa të huaja, të cilat nuk figurojnë të regjistruara në kufirin shqiptar.
Këto automjete janë bllokuar dhe janë kryer verifikimet nëse janë të trafikuara, apo me shmangie të detyrimeve doganore apo shkelje të tjera ligjore.
Janë sekuestruar 39 automjete, të cilat kanë rezultuar të trafikuara në vendin tonë.
Sipas policisë 22 automjete janë sekuestruar në Tiranë, pesë në Durrës, 2 në
Gjirokastër, katër në Fier, dy në Shkodër, dy në Kukës, një në Vlorë, dhe një në Elbasan.
Janë bllokuar 10 automjete me dokumentacion të falsifikuar, për të cilat janë kryer veprimet procedurale për veprën penale të "Falsifikimit të formularëve stampave dhe vulave".
Janë bllokuar në shkallë vendi 380 automjete me mangësi në dokumentacion dhe nga strukturat e qarkullimit rrugor janë bërë verifikimet dhe janë marrë masat përkatëse administrative.
Nga struktura e policisë së qarkullimit rrugor "Task Forcë" gjatë ditëve të Operacionit janë marrë masat administrative ndaj drejtuesve të automjeteve për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, gjithsej 1.091 masa administrative.
k.k/NOA