Durrës, 19 nëntor NOA - Këshilltari i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Aleksandër Garruli ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka dhënë detaje mbi problematikën e ndërtimit të portit të peshkimit në Durrës.
"Ndërtimi i portit të peshkimit në qytetin e Durrësit, konsiderohet një faktor me rëndësi në zhvillimin e këtij qyteti, si një qytet mesdhetar i ngjashëm me Barin, Brindizin, Anconen, Patren, Pireun etj, duke integruar në këtë mënyrë një nga aktivitetet më të rëndësishëm në historinë e tij, siç është peshkimi.
Aktualisht, në këtë qytet bregdetar mungon infrastruktura themelore për peshkim.
Puna për portin e peshkimit në Durrës ka filluar në qershor të vitit 2002, kur janë organizuar takime ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë dhe ekspertëve të huaj, përgjegjës për masterplanin e portit të Durrësit.
Më tej, me urdhër të Kryeministrit më datë 18.02.2003, u ngrit një grup pune ndërministror për te caktuar vendin e ndërtimit të portit të peshkimit" tha Garruli.
Sipas tij, grupi i punës ndërministror, që në vitin 2003, vendosi si variantin më të mirë, ndërtimin e portit të peshkimit në kalatën zero me argumentet se është në afërsi të gjithë infrastrukturës ekzistuese si, kapitenieria e portit, shërbimet portuale, shërbimet ndihmëse, tregu etj.
Në këtë vend porti i peshkimit integrohet me zhvillimet e mëtejshme të zonës si, me portin tregtar dhe eventualisht me një port jahtesh.
Mbi bazën e këtyre studimeve, KRRT e Bashkisë Durrës, më datë 14.08.2004, miraton lejen e sheshit për ndërtimin e portit të peshkimit, po në kalatën zero.
"Historiku disa vjeçar i infrastrukturës institucionale, për ndërtimin e portit te peshkimit në Durrës, fillon me qeverisjen e Partisë Socialiste dhe vazhdon me një konsensus të lavdërueshëm nga qeveria aktuale, në të njëjtin vend ndërtimi të paracaktuar në vitin 2003.
Por kur gjithçka ka mbërritur në finalizim, në mënyrë absurde dhe pa argument, Kryebashkiaku i Durrësit kundërshton ndërtimin e portit të peshkimit në këtë qytet, duke tentuar të dëmtojë në këtë mënyrë interesat e qytetarëve që përfaqëson.
Interesat e qytetit të Durrësit, nuk ndërvaren nga humori i kryetarit të bashkisë.
Bashkia e Durrësit është shprehur në mënyrë institucionale pro ndërtimit të portit të peshkimit në kalatën zero dhe ky qëndrim institucional nuk mund të ndryshojë, sa herë ndryshon qëndrimi i kryetarit të baskisë" theksoi Garruli.Â
Sipas Garrulit, kryetari i bashkisë po e politizon problemin duke ndryshuar vendin e ndërtimit gjë që rrezikon që qyteti i Durrësit të humbsë mundësinë për të pasur port peshkimi.
"Pretendimi se porti i peshkimit ndot ambientin është absurd. Ky port do të ndërtohet, duke respektuar të gjithë parametrat mjedisor, sipas teknologjisë më të përparuar bashkëkohore dhe në përputhje me konventat ndërkombëtare.
Në qytetet e zhvilluara bregdetare portet e peshkimit janë ndërtuar pranë porteve tregtare,si pjesë e infrastrukturës së qytetit. Ndërtimi i portit të peshkimit në Durrës, do të jetë një element shtesë në shërbimet turistike, restoranteve, hotelerisë dhe tregëtimit të prodhimeve të detit.
Porti i peshkimit do të plotësojë një pasuri të munguar të qytetit të Durrësit, si një qytet bregdetar." - tha Garruli gjatë konferencës për shtyp.
k.k/NOA
Â