Londër, 19 nëntor, NOA - Tashmë është ravijëzuar lista përfundimtare e të gjitha ekipeve që do të mund të marrin pjesë në kampionatin botëror të futbollit "Afrika e Jugut 2010", që pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm.
Kjo, pas përmbylljes së fazës së ndeshjeve paraprake, e cila ishte parashikuar të zgjidhte ekipet fituese që do mund të garojnë në këtë eveniment të madh të futbollit në botë, i cili zhvillohet një herë në 4 vjet.
Këtë radhë ai është parashikuar të zhvillohet në Afrikën e Jugut, ku edhe Shqipëria zhvilloi ndeshjet e saj për të mundësuar kualifikimin, por nuk mundi as këtë radhë t'u japë tifozëve kënaqësinë e të qenit prezent në këtë kampionat të madh.
Sipas të dhënave nga ndeshjet e djeshme që ishin përfundimtare për listimin e vendeve, Sllovenia u kualifikua pasi mundi Rusinë me rezultatin 1- 0.
Nga ana tjetër, edhe Greqia fitoi me të njëjtin rezultat ndaj Ukrainës duke siguruar pjesëmarrjen për në kampionatin "Afrika e Jugut 2010".
Franca barazoi me Irlandën 1-1, por u kualifikua për në finale pas fitores minimale 1-0, që kishte arritur të shtunën në Dublin, ndërsa Portugalia u kualifikua pasi mundi Bosnjën 1-0. Ndërkaq, në kontinentin afrikan Algjeria ishte ekipi i fundit që u kualifikua pasi mundi Egjiptin, në ndeshjen e zhvilluar në Sudan, në një atmosferë tepër të tensionuar, kurse në Amerikën e Jugut i kualifikuari i fundit ishte Uruguaji, i cili u përball me Kosta Rikën.
n.e/NOA