Tiranë, 19 Nëntor NOA - UNIQA Group Austria ka vendosur të blejë 23% aksione të tjera të kompanisë më të madhe të sigurimeve, SIGAL UNIQA Group Austria nga aksionerë të tjerë të saj duke rritur në këtë mënyrë prezencën në tregun shqiptar, kosovar dhe maqedonas të sigurimeve në rreth 68.7 për qind.
Marrëveshjet me aksionerët e mëparshëm u nënshkruan pak ditë më parë në Tiranë dhe kjo ngjarje konsiderohet si një tjetër shenjë besimi për zhvillimet pozitive në tregjet e Europës Lindore dhe Jug-Lindore.
Aksionet e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve në SIGAL do të mbeten të pandryshuara ndërkohë që transaksioni pritet të aprovohet nga autoritetet përgjegjëse.
Konstantin Klien, CEO i UNIQA Group Austria, u shpreh se "ne e bëmë të qartë që në fillim kur nënshkruam marrëveshjen me SIGAL në vitin 2007 se donim të blinim shumicën e aksioneve të Kompanisë deri në vitin 2010 dhe i mundësuam vetes opsionet e duhura".
"Rrjedhimisht,- vijoi z. Klien, - hapi i tanishëm është tërësisht në përputhje me planin dhe është gjithashtu shprehje e besimit në zhvillimet pozitive ekonomike në tregjet e Europës Jug-Lindore".
Më tej, z.Klien sqaroi se me shtrirjen e biznesit edhe në Rusi vetëm pak javë më parë, UNIQA nënvizoi përkushtimin e saj për rritjen e rajoneve të Europës Lindore dhe Jug-Lindore.
"Pavarësisht frenimeve dhe problemeve të ekonomive të veçanta, konvergjenca po vazhdon dhe unë pres një rritje të shpejtë të kërkesës në të ardhmen e afërt, veçanërisht për kompanitë e sigurimit që punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe ofrojnë produkte moderne", - u shpreh z.Klien.
Duke folur për marrëveshjen, Drejtori i Përgjithshëm dhe CEO i SIGAL UNIQA Group Austria Z.Avni PONARI u shpreh se "kjo marrëveshje është konkretizimi i synimeve tona, i stafit dhe bordit të Kompanisë për të realizuar këtë transaksion të rëndësishëm me një nga liderët e sigurimeve në Europën Qendrore".
Z.Ponari vuri në dukje faktin se UNIQA është një nga 40 kompanitë më të mëdha në botë dhe është e vlerësuar me "A" nga "Standart & Poor" çka tregon se është një nga investitorët më të rëndësishëm në Shqipëri.
Nga ana tjetër, ai veçoi faktin se SIGAL i ka bërë një shërbim të madh jo vetëm ekonomisë vendase por edhe ekonomisë së Kosovës dhe Maqedonisë duke u krijuar mundësi të gjithë investitorëve të garantojnë të gjitha investimet në Shqipëri në çfarëdo vlere.
"Tashmë SIGAL UNIQA Group Austria është krenare se përmbushi detyrimet e saj ndaj vendeve në të cilat operon për tu bërë, edhe më shpejt se pjesa tjetër e popullsisë, pjesë e familjes së madhe evropiane", - theksoi z.Ponari.
Tashmë që marrëveshja me aksionerët e SIGAL ka përfunduar, UNIQA ka finalizuar gjithashtu opsionet për blerjen e aksioneve të mbetura gjatë viteve të ardhshme. SIGAL ka kohë që operon në tregjet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë si pjesë e UNIQA Group Austria.
Z. Klien u pranoi se SIGAL ka përdorur më së miri shkëmbimin e eksperiencës me kompanitë e UNIQA-s duke pasur si synim vijimësinë e bashkëpunimit dhe ka përforcuar edhe më tej pozitat e saj si lider i tregut të sigurimeve në Shqipëri duke rritur zotërimin e këtij tregu nga 28% në 32%.
"Densiteti i ulët i siguruesve në të tre këto tregje i kombinuar me parashikimet pozitive afat-gjata për ekonominë janë arsyet se pse duhet të presim rritje disproporcionale në industrinë e sigurimit për secilën nga këto tregje", - tha z.Klien.
Më shumë informacion rreth SIGAL gjeni këtu: