English

Alket Rizaj në Prokurori: Nuk i tradhtoj ata që më ndihmuan në arratitë e mija

Nga bashkëpunëtori i agjencisë NOA në Athinë

Athinë, 20 nëntor NOA - Alket Rizaj, shqiptari 35-vjeçar që i ka bërë zbor policisë rregullisht këto katër vitet e fundit, sot u mor në pyetje nga grupi i prokurorëve të ngritur posaçërisht për të hetuar akuzat mbi të, ndërsa bie në sy rënia e akuzave të hedhura paraprakisht, për vrasje.

Në dosje deri tani janë katër mijë faqe të mbushura plot me materiale që prokuroria thotë se janë prova të vlefshme për të dënuar Rizajn.

Alket Rizaj, 35 vjeçar nga Fieri, përballet aktualisht me 11 akuza, të cilat janë krijim bande kriminale, pjesëmarrje në bandë kriminale, ushtrim aktiviteti kriminal në bashkëpunim, mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake, kanosje për jetën, referuar kërcënimit me armë që i bëri pilotit kur u arratis me helikopter, shkelje e përdorimit të territorit ajror përmes mjeteve fluturuese, largim nga vendi i vuajtjes së dënimit, vjedhje e pasurisë së tjetrit, prishje e rendit dhe qetësisë publike, falsifikim dokumentesh shtetërore.

Me një pjesë të këtyre akuzave, u njohën dhe u përballën sot edhe e dashura e tij greke Shula si dhe një çift i ri shqiptarësh, emrat e të cilëve nuk publikohen por konfirmohet se ata janë kushërinj të largët të Alketit.

Doza ironie

Plot ironi në fytyrë por edhe në ato që tha në sallën e marrjes në pyetje të Prokurorisë së Athinës, Alket Rizaj, i konsideruar deri para pak ditësh si i huaji më i kërkuar dhe një ndër super të kërkuarit e policisë greke, mori sot masën e sigurisë të arrestit me burg pa afat.

"Unë ju them këtu të gjithëve që ta keni të qartë: Njerëzit që mua më kanë ndihmuar, harrojeni, nuk i tradhtoj. E bëj këtë thjeshtë dhe vetëm sepse unë i urrej spiunët", - u shpreh Rizaj në Prokurori.

Marrja në pyetje

Në seancën e sotme, Rizaj u pyet gjatë mbi arratinë e ndodhur 22 shkurtin e kaluar nga burgu i sigurisë së lartë Koridhalo nga ku i riu shqiptar bashkë me grekun më të kërkuar Niko Paleokosta u arratisën me helikopter.

Një arrati që gjithsesi ishte e dyta pasi më 4 qershor 2006, sërish Rizaj ishte arratisur me helikopter, atëherë nga paraburgimi policor i Pireut.

Rizaj ka marrë të gjithë përgjegjësinë për arratinë, planin dhe të gjithë skenarin e saj duke thënë se arratia e tipit hollivudian ishte vetëm një plan i përgatitur prej tij, ku Paleokosta nuk kishte gisht.

Duke iu kërkuar detaje mbi arratinë dhe si u arrit ajo me sukses, përgjigjja ishte: Harroni të mësoni më shumë".

I pyetur mbi armët që iu gjetën në banesë, një "Kallashnikov", një "Scorpion", dy pistoleta, pesë bomba dore dhe shumë municione, Rizaj tha se i mbante ato për mbrojtje personale dhe kurrsesi për të kryer ndonjë aktivitet kriminal.

Humori i Rizajt, nuk u ndal edhe kur u ridërgua në qeli. Me të dalë nga zyra e marrjes në pyetje në prokurori, shefi i policisë që e shoqëroi deri në mikrobusin e blinduar, e pyeti: "Si vajti me prokurorët" dhe përgjigjja që mori nga Rizaj, ishte: "Më lanë të lirë".

***

Paleokosta

Rizaj, mohoi të japë qoftë dhe informacionin më të vogël për vendndodhjen e të shumëkërkuarit grek Niko Paleokosta dhe theksoi: Më mirë vdes, se sa të tregoj se ku ndodhet Nikua".

E dashura

Pas Rizajt, në pyetje është marrë dhe e dashura e tij Aspasia Mitropia e njohur si Shula. Ajo dyshohet si arkitekte e arrative me helikopterë.

Në seancë, 34-vjeçarja helene Shula vendosi të ushtrojë të drejtën e heshtjes duke deklaruar se nuk ka ndërmen të shprehet për akuzat që i vishen.

Gjithsesi asaj iu bë e qartë se kishte organizuar marrjen e helikopterit me qera në shkurt 2009 duke u prezantuar te kompania private si një shtetase ruse me emrin Lilian Aleksandrova.

Madje e dyshuara me një thikë në dorë, ka kërcënuar për vdekje pilotin që ai të ulej në burgun e Koridhalosit të merrte të dashurin e saj.

Njohja me Shulën

Ndërkohë është zbardhur edhe si janë njohur Alketi me Shulën. Gjithçka ka ndodhur plot dhjetë vjet më parë në lagjen "Peristeri" të Athinës. Atëherë 24 vjeçe, Shula punonte si parukiere. Ajo ishte grua e ndarë, nënë e dy fëmijëve. E cilësuar nga policia si grua-burrë për shkak të karakterit të fortë të saj maskilist.

Edhe një tjetër nën akuzë

Nën akuzë është edhe Hrisanthos Anagnostopulos i cili dyshohet se i ka dhënë Alket Rizajt, makinën e blinduar tip "Benz Mercedes" e cila ditë më parë u përfol të ishte e një biznesmeni që aludohej të ishte vrarë me përfshirjen e Alket Rizajt. Ai mohoi të jetë i përfshirë në arratinë e Rizajt duke thënë se thjeshtë kishte shitur makinë dhe Alketi e kishte blerë atë duke paguar që në fillim një paradhënie.

Flet dhe nëna e Rizajt: Im bir nuk është vrasës

Ditën e sotme, ka folur për mediat greke, nëna e Alket Rizajt. Ajo kërkoi gjykim të drejtë për të birin dhe theksoi se nëse Alketi është fajtor, vetë ajo do ta vriste: "Në rast se vërtetohet që im bir Alketi është kriminel, nëse vërtetohet se ai ka vrarë ndokënd, vetë unë do ta vras tim bir", - deklaroi Donika Rizaj.

Kurse shtoi: "Nëse ka drejtësi, drejtësi të vërtetë, ajo të bëjë punën e saj me seriozitet dhe akuzat që ngre ndaj tij, të ketë kujdes mos jenë gënjeshtra", - ka apeluar Donika Rizaj.

Në përfundim, Donika Rizaj në emisionin informativ të Alpha Tv, shprehu me forcë bindjen se i biri është i pafajshëm: "Gjithë ato akuza që kemi dëgjuar kundrejt tij, janë të padrejta sepse im bir nuk është kriminel. Thjeshtë i kanë hedhur ca akuza të pavërteta", - tha Donika Rizaj.

Më tej ajo ka treguar se ka plot 12 vjet që nuk e sheh të birin, ndërsa pohon se ka edhe tre fëmijë të tjerë që jetojnë e punojnë në vende të tjera të Evropës dhe kurrë nuk kanë pasur probleme me drejtësinë.

"Unë kam katër djem, që të gjithë të mirë, njëri më i mirë se tjetri. Kudo ku kanë jetuar e punuar, kanë qenë të pastër dhe të sjellshëm. Nëse nuk do ishte kështu unë do të isha pasanike dhe ju do më gjenit në luks si shumë të tjerë që i kanë bërë pasuritë me para të pista", ka thënë Donika Rizaj, në rrëfimin e saj për Alpha tv e cila realizoi një reportazh me familjen e Alketit, duke demonstruar dhe faktin se banesa e tyre në Ballsh i përkiste një shtrese të varfër sociale.

/n.s/e.r/f.sh/NOA/ - Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i lajmit dhe fotove, prodhim i agjencisë NOA, nëse nuk citohet burimi NOA

KOMENTE
  • Leo Koceku22:56 - 03 Qershor 2011
    te lumt alket na nderove shqiperin