Tiranë, 20 Nëntor, NOA - Në Bashkimin Evropian nuk shkohet me kuti votimi të mbyllura, por vetëm me demokraci.
Një fakt të tillë e ka deklaruar gjatë fjalimit të mbajtur në protestën e opozitës, kreu i partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.
"Prandaj jemi sot këtu, të majtë e të djathtë për t'i thënë Europës se duam demokraci, se kërkojmë votim të lirë, e duam të ndërtojmë një shtet të së drejtës", u është drejtuar ai pjesëmarrësve në protestë.
Më tej, ai ka vënë në dukje edhe faktin e vazhdimësisë së nismave opozitare në kërkim të së drejtës së saj për zbardhjen e të vërtetës së zgjedhjeve.
"Pjesëmarrja juaj sot nuk përfundon këtu para Kryeministrisë. Ky tubim përfundon në destinacionin tonë përfundimtar: në Bruksel, atje ku vendet anëtarë të Bashkimit Europian, atje ku familja më e civilizuar na ka shtrijë dorën e na ka ftuar të jemi pjesëtarë të barabartë, me kontributin, dinjitetin e vlerat tona", tha më tej ai.
Duke drejtuar thirrjen ndaj mazhorancës për të ndjekur atë që ai e quajti "vullnet të popullit" shtoi se "kjo është thirrja që vjen nga çdo cep i vendit sot: Hapini rrugë vullnetit të popullit, demokracisë së vendit për të shkuar drejt BE!".
Në fund ka hedhur opsionin e zgjedhjeve të parakohshme duke iu drejtuar mazhorancës me shprehjen se "nëse nuk është e gatshme të bëjë këtë kompromis, duhet t'i hapë
rrugë popullit përmes zgjedhjeve të parakohshme".
"Duhet të kemi bindje të plotë, të palëkundur se ne mund të arrijmë ato që duam! Sepse ata që kanë vendosmëri për t'ju qëndruar parimeve, institucioneve, ata që duan t'i qëndrojnë deri në fund demokracisë, ata kanë vetëm një destinacion: fitoren!", përfundoi fjalën e tij Dule.
n.e/NOA