Nga Milena Selimi
Tiranë, 20 Nëntor NOA - Pas aparatit fotografik e quan veten ‘poet i mallkuar'. Italiani Francesco Licata, erdhi për herë të parë në Shqipëri, me cilësinë e anëtarit të jurisë në Fokus '09.
Udhëtimi i tij i parë këtu dhe në një ish-vend lindor. Ka dokumentuar rrugëtimin në vizitat drejt Vlorës, Durrësit, Tiranës, Fierit, për diçka që nuk e njihte më parë, edhe që mundi t'a prekte në një moment të rëndësishëm të jetës së tij.
Nuk ka lexuar asnjëherë gazetat, nuk është tërhequr nga asnjë histori shqiptare, duke qeshur na tregon se "Nuk dija asgjë për Shqipërinë, prandaj dhe erdha".
Njohja e parë u krijua falë edhe një studenti shqiptar të arkitekturës që studion në Milano, i cili, në tarracën e Galerisë së Arteve të qytetit të Fierit qëndron në pritje …me aparatin fotografik pas nesh…një foto që dokumenton edhe një edicion më shumë në Fokus '09.Â
Janë dhënë çmimet e fituesve. Një konkurs, i cili respektoi deri në fund anonimatin e emrave të pjesëmarrësve. Çfarë dimensioni të fotografisë gjetët në këtë konkurs?
Më bën përshtypje interesimi i madh i njerëzve sonte në këtë ekspozitë. Ka shumë kuriozitet për fotografinë, unë mendoj se ka vepra që sjellin shumë tematika dhe emocione të forta të jetës, kështu që njerëzit janë kuriozë dhe kanë ardhur të shohin nga afër sesi mund të shprehen në një fotografi këto dritë-hije dhe gjendje shpirtërore të autorëve.
Përse u meritua Çmimi i Parë? Çfarë të ka goditur tek ajo foto fituese?
Më kanë goditur shumë foto, kam parë foto të bukura, të krijuara nga të rinj të talentuar, edhe kjo më jep gëzim jo vetëm këtu në Shqipëri, por kudo ku i gjej. Nuk është e thënë se fituesi duhet t'u pëlqejë domosdoshmërisht të gjithë anëtarëve të jurisë, por duhet të jetë një foto që të lejon të bësh pyetje, por që jo gjithmonë të gjesh edhe përgjigjet.
Fotografia nuk është një garë sportive, por një mendim, që prezantohet tek shikuesi. Nëse fiton një çmim ai është çmimi i kulturës, i politikës që ka për të treguar, i emocioneve që mundet të japë.
Është mirë të ndahen çmime, jo për arsyen se duhet të krijohet një hierarki për të vendosur më të mirët, më pak të mirët, më të aftët, më profesionistët, amatorët, por edhe për të dhënë disa indikacione për të ardhmen, një fotografi mund të jetë gjithçka. Ai që merr pjesë në këtë ekspozitë, që do të thotë se ka kaluar selektimin, është tashmë një fitues.
Ka kufij në një fotografi?
Me një fotografi mund të bëhet gjithçka. Nuk është i rëndësishëm mjeti me të cilin kryhet fotografia, por fundi, imazhi. Nuk besoj se ka kufij.
A sjell Fokus '09 fotografi ku ndërthuren mentalitete, mënyra të ndryshme shprehjeje dhe koncepte të teknikës?
Unë mendoj se pas një aparati fotografik nuk ka një kartë identiteti. Mund të realizohet nga një fëmijë, nga një i ri, i moshuar, çdo gjë varet nga emocionet që përcjell. Një i ri impresionohet ndryshe nga një i moshuar, pasi ajo që sheh ai vazhdon ta befasojë nga jeta sepse është i ri dhe sheh një të ardhme. Mënyrat e shprehjes janë të ndryshme, ajo që mbetet në fund është gjithmonë emocioni. Fiton gjithmonë ai që sjell emocione të forta dhe që të bën të mendosh se ekziston një realitet tjetër.
Më mirë të jesh në juri, apo të jesh pjesëmarrës në një konkurs fotografie?
Më mirë të marrësh pjesë, sepse mund të zemërohesh nëse nuk je fitues.
A mendon se do të kemi të zemëruar... pas çmimit?
Jo, nuk e besoj këtë, pasi pas një aparati qëndron gjithmonë një poet, jo një këngëtar rocku, që tenton me çdo kusht të protestojë për gjithçka.
Çfarë ‘poeti' je ti pas aparatit fotografik?
Një poet i mallkuar…. ha ha ha. . varet nga ajo që kam përpara për të eksploruar dhe dokumentuar.
m.s/e.r/NOA