English

Konfindustria: Të ndryshohet para se të miratohet në Kuvend p/ligji "Antimafia"

Tiranë, 20 nëntor, NOA - Konfindustria shpreh domosdoshmërinë e ndryshimeve në përmbajtjen e ligjit "Antimafia" përpara miratimit perfundimtar të tij në seance plenare.

Një fakt i tillë është bërë i ditur nga ky organizëm ekonomik përmes një deklarate për shtyp, në të cilin thuhet konkretisht se zbatimi i tij në formën e paraqitur do të kishte pasoja në uljen e të hyrave nga emigrantët, largim të kapitaleve dhe frenim të iniciatives investuese në vend, aq shumë të nevojshme për zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit dhe sidomos përballjes me pasojat e krizës globale financiare.

"Ligji në fjalë, për thelbin dhe për më shumë për pasojat, që mund të sjellë në zbatimin e tij, është nga aktet ligjore më të ndjeshme, që rrallëherë mund të jenë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe për këtë arsye duhet kushtuar kujdes i veçantë", citohet në këtë deklaratë.

Duke shtuar se Konfindustria parimisht nuk e kundërshton ligjin në fjalë duke e vlerësuar si masë të luftës kundër krimit të organizuar. Aq më shumë nuk mund të kundërshtohet, kur ekzekutivi sjell si arsyetim shtesë, se një ligj i tillë është tregues i efektshëm në vende të ndryshme të Bashkimit Europian si dhe eshte gjithashtu një detyrim për proçesin e integrimit të vendit në BE.

"Nëse do të studiojmë më në thellësi arrijmë në përfundimin, se pikërisht zbatimi i një ligji të tillë në Shqipëri, në një mjedis institucional dhe një realitet ekonomik, që ndryshon krejtësisht nga vendet e BE, që sillen si krahasim, mund të sjellë pasoja krejtësisht të kundërta me vetë qëllimin e krijimit të tij. Të mos harrojmë, se me termin ‘nivel i pajustifikuar ekonomik' mund të shkohet deri aty sa të vihet në dyshim pasuria praktikisht e një shumice dërrmuese të bizneseve dhe pothuaj një shumice qytetarësh shqiptarë, që në masë mjaft të madhe janë në emigracion prej pothuaj 20 vjetësh dhe që në shumë raste kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë per arsye objektive te padeshirueshme në "të zezë", citon më tej deklarata.

Konfindustria i mbetet qëndrimit se ajo që për biznesin e bën të ndjeshëm projektligjin në fjalë është se barra e provës kalon për t'u provuar nga subjektet e akuzuara dhe jo nga organi i akuzës.

n.e/NOA

KOMENTE