Shkup, 20 nëntor, NOA - Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Gjorgji Stardelov flet në një intervistë rreth Enciklopedisë maqedonase dhe hapat që pritet të ndërmarrë Akademia më tej në lidhje me këtë projekt.
Cila është zgjidhja përfundimtare mbi Enciklopedinë, edicioni i parë i saj dështoi për çështjet bibliografike dhe tani po përgatitet një botim tjetër i ri? - Jo, këto nuk janë të vërteta. Redaksia e re e krijuar ka për detyrë që të zhvillojë një koncept të ri për zgjatjen e këtij projekti. Materialet e përfunduara tashmë do të shfrytëzohen, ndërsa për çështjet e diskutueshme do të krijohen tekste të reja, në të cilat do të prezantohen edhe emrat e autorëve të tyre. Kur të përfundojë faza kryesore e redaktimit, Enciklopedia do të publikohet në faqen e internetit të ASHAM-së, kështu që do të arrihet transparencë më e madhe në veprimtarinë e Akademisë për Enciklopedinë.
 Enciklopedia maqedonase u promovua në mënyrë euforike. Në një deklaratë, ju keni thënë se ky është një libër polemik, që jep një pasqyrë të Maqedonisë.
- Polemikë në gjuhën maqedonase do të thotë një debat shkencor. Sa i përket Enciklopedisë maqedonase, sa i përket atij debati shkencor mbi vendet e kontestueshme, më gëzon fakti se Enciklopedia depërton nëpërmjet kanaleve të veta deri tek lexuesi. Në filozofinë e shkencës sot qëndron problemi i gabimit si një faktor që ka nevojë për kritikë të përhershme të problemit, dhe përpunim të përhershëm të tij. Kështu që librat kontraversë nuk janë librat më të këqinj. Kuptohet se ne nuk kemi ndërmend të vazhdojmë me të njëjtat interpretime, por do të mundohemi që të ketë më shumë shtojca me më pak polemika.
 Akademik Stardelov, si e përjetuat ju si shkencëtarë politizimin e Enciklopedisë?
- Nëse e mendon kthjellët, ka patur mendime të thëna në një gjendje të pakontrolluar. Asnjë njeri normal që njeh përvojën e djegieve të librave, i cili njeh gjërat që po na ndodhin në historinë moderne, kur janë djegur librat e njerëzve më të mëdhenj të botës, në të ashtuquajturën natë të kristaltë, me një mendje të shëndoshë nuk do të kishte sugjeruar djegien e Enciklopedisë, ndalimin ose zhvleftësimin e saj.
 Në opinion, ASHAM u vendos në qendër të politizimit të procesit, por në të jeni gjendur edhe ju, me veprimet apo deklaratat e diskutueshme...
- Dënimi i Enciklopedisë filloi nga partitë politike. Prandaj ne nuk reaguam ndaj qëndrimeve të tyre. Sepse ne menduam se është e papërshatshme që ASHAM të futet në diskualifikimet politike apo dialogjet politike me partitë politike. Ne kemi për qëllim të debatojmë për disa përkufizime kyçe që kanë shkaktuar armiqësi ndaj Akademisë dhe Enciklopedisë, prandaj ne do të kemi si armë kryesore shkencën.
 Cila është përgjigja e juaj ndaj faktorit shqiptar shkencor që këmbëngul në hapjen e një sektori shqiptar, për komunitetin shkencor?
- Në kuadër të ASHAM, brenda qendrave ekzistuese do të ngrihet një qendër kërkimore që do të merret me çështjet e komuniteteve etnike. Sepse, përveç hapjes së disa universiteteve dhe instituteve, të cilat kanë krijuar kuadro vërtetë të rëndësishme nga komunitetet etnike, unë pres fazën tjetër të zgjerimit të veprimtarisë së kërkimit shkencor në ASHAM dhe në këtë fushë ne kemi projektin për krijimin e një qendre kërkimore për trashëgiminë kulturore.
DW
Â