Prishtinë, 20 nëntor, NOA - Koalicioni qeverisës në Kosovë mes PDK dhe LDK po komentohet nga mediat vendase të jetë në rrezik, pasi thuhet se LDK paska lidhur koalicion me partitë e tjera për në balotazh dhe PDK mesa duket, nuk qenka fort e kënaqur nga një veprim i tillë.
Gjithsesi, ende nuk ka ndonjë lajm të konfirmuar zyrtarisht nga dy partitë në fjalë, përveçse një atmosfere paqëndrueshmërie dhe lajmesh që mbërrijnë nga minuta në minutë për tronditjen e koalicionit qeverisës.
Njëri prej tyre pohon sesi PDK pas ndryshimeve të ndodhura në terren, pritet që sot të nënshkruajë koalicionin e ri në nivel qendror me AKR, LDD dhe partitë e minoriteteve. "Partia Demokratike e Kosovës, pas konstatimit të shkeljeve së marrëveshjes së koalicionit nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vendosur që të rishqyrtojë ose të riformatizojë koalicionin qeverisës në nivel qendror. Takimet konsultative do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme deri në marrjen e një vendimi definitiv", thuhet në një njoftim të lëshuar nga PDK, e cila pohon se është duke e shqyrtuar situatën.
Zv/kryeministri Kuçi ka thënë se në mbledhjen e kryesisë së PDK-së, që është zhvilluar deri vonë në mesnatë, është konstatuar se LDK, e njohur si partnere në koalicionin qeverisës, e ka shkelur marrëveshjen e koalicionit, por nuk ka dhënë detaje se çfarë ka dashur të bëjë tamam me këtë.
Ndërkaq, dita e sotme, cilësohet si vendimtarja për ta zgjidhur këtë situatë ngërçi që ka kapluar gjithë politikën kosovare.
n.e/NOA