Tiranë, 20 nëntor, NOA - Një arsye madhore që i ka mbledhur protestuesit e opozitës në shesh është ajo e të vërtetës për zgjedhjet e 28 qershorit, atë që Sali Berisha po e mban të mbyllur në kuti.
Me një deklaratë të tillë, deputetja Valentina Leskaj iu drejtua protestuesve opozitarë gjatë fjalimit të mbajtur prej saj.
"Sot Shqipëria është në ditët e saj më të vështira, për shkak të ngushtimit të lirive, nga liria e votës deri te ajo e medias, për shkak të varfërisë e të korrupsionit dhe për shkak të arbitraritetit qeverisës", apeloi ajo.
Sips saj, opozita gjendet aktualisht në një betejë për një kauzë të madhe dhe jo për një kauzë jo personale dhe jo partiake, po për të drejtën e votës së çdo shqiptari.
"Kjo është beteja për të ardhmen që askush të mos guxojë më, të abuzojë me votën e popullit duke mbyllur njëherë e mirë kapitullin e manipulimit të zgjedhjeve e për t'i rikthyer legjitimitetin institucioneve", shtoi ajo.
Deputetja Leskaj vuri në dukje ndër të tjera se drejtësia fillon nga e vërteta.
 "Dhe ne jemi të vendosur për të vërtetën, që vjedhja e votës të mos shërbejë më si mburojë e strehë për ministra që duhet të ishin sot përpara drejtësisë, të mos shërbejë si jorgan për familjen dhe si mburojë për abuzimet me taksat dhe pronat e shqiptarëve", tha ndër të tjera Leskaj.
Në fund ajo përmendi edhe lajmin e keq që erdhi pardje nga Transparenca Ndërkombëtare, për korrupsionin, si edhe ai i sondazhit të Gallupit për korrupsionin.
"Askush nuk mund t'ia faturojë dot opozitës dështimin e qeverisë në mosplotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave. Aq më pak ata që janë sot direkt përgjegjësit", përfundoi ajo, duke larguar nga opozita përgjegjësitë për ngecjen e procesit të liberalizimit të vizave.
n.e/NOA