English

Ndoka: Ke vetëm një zgjidhje Berisha, hap kutitë ose përballu me protestën më të fuqishme

Tiranë, 20 nëntor, NOA - Partia Demokristiane u bashkua me protestën e Partisë Socialiste sepse kërkon hapjen e zbardhjen e 28 qershorit.

Kështu e ka argumentuar pjesëmarrjen në protestën e opozitës edhe të demokristianëve, kreu i PDK, Nard Ndoka.

Gjatë fjalës që mbajti para protestuesve, ai shtoi se demokristianët janë bashkuar me socialistët dhe gjithë opozitarët e vendit

për të kundërshtuar fort dhe me vendosmëri, një pushtet që ka dalë nga dhunimi i votës, njëkohësisht edhe një kryeministër që i mohon qytetarëve që të hapë kutitë e të shohin votën e tyre.

Ai ngriti publikisht akuzën se në procesin e numërimit të votave, u provua fakti se procesi i numërimit të votave ishte i manipuluar.

"Ne faktet tona i depozituam në Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të Shkodrës, por procesi ende nuk ka filluar, e deponimi ynë ka ngelur në sirtarët e prokurorisë. I bëjmë thirrje prokurorisë mos t'i përkulet pushtetit por të nisë hetimet", tha ai në lidhje me vjedhjet e votave që pretendon se iu bënë forcës së tij politike gjatë procesit të 28 qershorit.

"Ke vetëm një zgjidhje Berisha, hap kutitë ose do të përballesh me protestën më të fuqishme. Ne nuk do të tërhiqemi derisa të zgjedhim drejtuesit e ligjshëm të vendit. Kjo është kauza jonë dhe nuk do të tërhiqemi", e përfundoi fjalën e tij Ndoka, duke iu drejtuar personalisht kryeministrit.

e.r/NOA

KOMENTE