English

Ndoka: PDK përshëndet zgjedhjen e Presidentit të Parë të Evropës

Tiranë, 20 nëntor NOA - Partia Demokristiane e Shqipërisë përshëndeti sot zgjedhjen e Herman Van Rompuy, si president i parë i Bashkimit Evropian dhe i uroi atij suksese në konsolidimin e institucionit të ri të Presidentit të BE-së dhe në qeverisjen e Evropës së Bashkuar.

Herman Van Rompuy, kryeministri aktual i Belgjikës, është një nder liderit më të njohur të Partisë Demokristiane Belge, me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme politike, administrative dhe drejtuese, si drejtues rinie, kryetar, deputet, ministër dhe më vonë edhe kryetar parlamenti.

"Zgjedhja e Van Rompuy është një lajm i gëzuar veçanërisht për ne demokristianët shqiptarë, që ndajmë të njëjtat vlera njerëzore e politike me demokristianët evropianë siç janë familja dhe dinjiteti i njeriut, liria dhe përgjegjësia, drejtësia dhe ligji, solidariteti dhe besimi, pluralizmin politik dhe shtetin ligjor, prona private dhe ekonomia sociale të tregut" thuhej në deklaratën e lëshuar sot nga PDK.

"Ne shprehim bindjen se zgjedhja e zotit Van Rompuy si president i pari i Bashkimit Europian, do të ndikojë pozitivisht në konsiolidimin e institucioneve integruese evropiane, në afrimin më shumë midis tyre të popujve të Evropës si dhe në shtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të bashkuar me Evropën edhe vende si Shqipëria, që historia fatkeqe i ka mbajtur të ndarë nga kontinenti dhe i ka izoluar prej tij.

PDK, duke e vlerësuar, si një ngjarje të rëndësishme për Evropën zgjedhjen e demokristianit Herman Van Rompuy si president të parë të saj, shpreh vendosmërinë e saj për të konsoliduar vlerat universale të kristianizmit dhe të filozofisë kristiane në Shqipëri, si një garanci për të ardhmen tonë evropiane, sepse një Shqipëri më kristiane është një Shqipëri më evropiane" përfundon deklaratën e saj Partia Demokristiane.

k.k/NOA

KOMENTE