English

Protesta e PS, policia: Janë marrë të gjitha masa, do të kufizohet ndjeshëm trafiku

Tiranë, 20 nëntor NOA - Policia e Tiranës ka marrë sot të gjitha masat për protestat që do të zhvillojë Partia Socialiste.

Tubimi paqësor i opozitës do të zgjasë për tre ditë me radhë duke detyruar forcat e policisë së kryeqytetit të mobilizohen me qëllim garantimin e qetësisë.

Sipas policisë Partia Socialiste e Shqipërisë, ka njoftuar për zhvillimin tubimit paqësor, në sheshin "Skëndërbej" dhe me itinerar lëvizje në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", deri në afërsi të Kryeministrisë. Gjithashtu, tubimi do të vazhdojë edhe përgjatë datave 21 dhe 22 nëntor 2009 në një pjesë të Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" nga ura e Lanës deri në afërsi të Kryeministrisë. Në këtë kuadër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka marrë masa për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike dhe garantimin e zhvillimit normal të këtij tubimi. Policia e Tiranës tha se do të ketë kufizime të thella të qarkullimit rrugor, ku do të bllokohet Sheshi "Skëndërbej" më datë 20 nëntor 2009 nga ora 15:00 deri në orën 17:00, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" më datë 20 nëntor 2009 nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit. Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nga ura e Lanës deri në afërsi të Kryeministrisë do të kufizojë qarkullimin në datë 21 nëntor 2009, deri në pasditen e datës 22 nëntor.

k.k/NOA

Â

KOMENTE