English

Starton sot protesta 3 ditore e opozitës para godinës së qeverisë për zgjedhjet

Tiranë, 20 nëntor, NOA - Me thirrjet për hapjen me çdo kusht të kutive të votimit të 28 qershorit, opozita starton sot protestën maratonë të paralajmëruar, e cila do të zgjasë për tre ditë me radhë.

Nga selia rozë këto ditë është bërë me dijeni se edhe nëse pas këtyre tre ditëve proteste nuk do të ketë reagim nga qeveria lidhur me hapjen e kutive të 28 qershorit, atëherë opozita do të ndërmarrë nisma të tjera të përshkallëzuara, të cilat synojnë sipas saj në sigurimin me çdo kusht të transparencës së 28 qershorit.

Burimet zyrtare të Partisë Socialiste konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se protesta është caktuar që të nisë sot, në orën 16:00, me një grumbullim në sheshin "Skënderbej" e më pas turma e protestuesve do t'i drejtohet sheshit para Kryeministrisë. Aty do të jetë i ngritur një podium si dhe një ekran, ku herë pas here do të shfaqen foto nga aksioni opozitar për denoncimin e korrupsionit të qeverisë "Berisha". Po kështu, oratorë të ndryshëm do të japin mesazhe, përmes një mikrofoni që do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë kohës.

Gjatë ditëve të fundit, Rama por edhe eksponentë të tjerë socialistë i kanë ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj proteste masive, e cila sipas tyre synon vendosjen e themeleve të një shteti demokratik, ku respektohet vota e votuesit dhe nuk vidhet.

Për një arsye të tillë, protesta sot është titulluar edhe me sloganin "Dua të shoh votën time".

n.e/NOA

KOMENTE