English

Topalli gjatë vizitës me homologen e Islandës: Protesta e PS kundër heqjes së vizave

Tiranë, 20 nëntor NOA - Pas takimit kokë më kokë dhe më pas, mes delegacioneve të dy parlamenteve, Kryetarja e Parlamentit të Islandës, Asta Johannesdottir dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhanë një konferencë të shkurtër për median.

"Jam shumë e lumtur që pata mundësinë të bëj një vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Jozefina Topalli. Kjo është vizita e parë zyrtare nga Althingi, Parlamenti i Islandës, në Shqipëri dhe kjo është gjithashtu edhe vizita ime e parë në vendin tuaj të bukur.

Mezi pres të mësoj më shumë për Shqipërinë dhe të kem mundësinë të shoh vendet tuaja historike" u shpreh kryetarja e parlamentit të Islandës.

"Si Shqipëria edhe Islanda, kanë aplikuar këtë verë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne jemi vende kandidatë të përgatitur mire. Në përputhje me traditën tonë të gjatë demokratike në Islandë, procesi i aplikimit në BE është i shumë i orientuar nga Parlamenti dhe ai ka një rol aktiv në të gjithë procesin" tha Asta Johannesdottir.

"Ky vit shënon 20 vjetorin e ngjarjeve historike të vitit 1989, vit që shënon fillimin e tranzicionit demokratik në Europën Lindore. Ju uroj suksese të vazhdueshme në reformat tuaja. Vendi juaj, me trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike, ka të gjithë potencialin për një të ardhme të begatë", nënvizoi më tej Kryetarja e Parlamentit të Islandës.

Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të parë të këtij niveli nga Islanda në Shqipëri, duke e konsideruar një nder për Kuvendin dhe për të personalisht, takimin me Johannesdottir.

"Kemi diskutuam së bashku mbi proceset integruese. Islanda është një ndër vendet, e cila para pak kohësh aplikoi për të marrë statusin e vendit kandidat dhe është në fund të këtij procesi. Besoj se së bashku me Kroacinë, të dy bashkë këto vende do të bëhen anëtare të BE-së" tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit tha se i kërkoi Kryetares së Parlamentit të Islandës që të nxiten investitorët e vendit të saj për të eksploruar mundësitë e jashtëzakonshme, të shumta të në prej momenteve më të mira të ekonomisë, si dhe në fushën e energjitikës, turizmit apo në fusha të tjera.

Ajo tha se "gjeta të gjithë gatishmërinë për të pasur shkëmbime ndërparlamentare, për të bashkëpunuar në çdo proces integrues. Natyrisht e falënderova fort për ndihmën që Parlamenti i Islandës i ka dhënë Shqipërisë, kur ka votuar për Protokollin e NATO-s."

Pyetjes nga gazetarët për protestën e sotme të opozitës, Kryetarja e Kuvendit iu përgjigj "Për mua është thjesht një protestë kundër heqjes së vizave."

k.k/NOA

KOMENTE