English

Tubimi i opozitës, Rama: Duam largim të qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme

Tiranë, 20 Nëntor NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, tha sonte në mitingun e opozitës me moton "Dua të shoh votën time" se zgjedhjet e parakohshme janë rrugëzgjidhje për të qetësuar situatën politike në vend.

Rama sugjeroi se në qoftë se Parlamenti s'ka forcë të bëjë një ligj për të hapur kutitë, atëherë s'ka as pse vetë Parlamenti të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura.

Duke përforcuar se në qoftë se qeveria s'ka kurajë të bëjë bashkë me opozitën transparencën e zgjedhjeve,

duke hapur kutitë në sytë e publikut për të marrë të gjitha masat ligjore, që çdo shkelës i ligjit në këtë proces zgjedhor të çohet para drejtësisë dhe çdo përmirësim ligjor të bëhet nga parlamenti, atëherë s'ka as arsye që vetë qeveria të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura.

"Shkurt e troç: Në qoftë se kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura, ne do të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme", - konkludoi idenë e tij, z.Rama.

Duke u ndalur në kutitë e votimit, Rama tha se "asgjë e ligjshme nuk i pengon, madje të gjitha rrethanat i detyrojnë përfaqësuesit e popullit t'i hapin në sytë e publikut kutitë e 28 qershorit, të cilat nuk hapen vetëm për arsyet e paligjshme të pushtetit të Sali Berishës, që urdhëroi shkeljen e ligjit për hapjen e kutive nga KQZ-ja, nënshtroi me presion gjykatën zgjedhore, për të mos u hapur kutitë, dhe forcërisht ndalon sot miratimin e një ligji për hetimin e zgjedhjeve duke filluar nga kutitë".

Këtu Rama paralajmëroi se "në këto kushte ne jo vetëm nuk hyjmë në parlament, por do të përshkallëzojmë protestën tonë, që nuk do të mbarojë as sot as nesër".

***

Gjatë fjalimit të tij që përmbylli tubimin e parë të maratonës që pritet të zgjasë tre ditë, Rama tha se "sot më shumë se kurrë duam të tregojmë që e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, duam të provojmë, se liria e votës dhe e drejta për numërimin e ndershëm të saj, janë për ne një liri dhe e drejtë që nuk blihet, nuk shitet, nuk negociohet".

Rama më tej u ndal te rivali i tij politik Berisha kur tha se "ai u ankua mbrëmë nga kutia e mbyllur e parlamentit se unë po e shaj, duke shpifur për të e për njerëzit e familjes së tij" dhe theksoi se kjo ishte e pavërtetë:

"Kurrë s'më ka shkuar ndërmend të merrem me jetën personale e me njerëzit e familjes së kujtdoqoftë, as të kundërshtarit politik. Këtë Sali Berisha e ka bërë gjithë jetën e tij si një stalinist i pandreqshëm. E ka bërë në kohën e diktaturës komuniste, kur ka arritur deri edhe të persekutojë personalisht e të internojë një familje të pafajshme. E ka bërë edhe më vonë e deri në ditët tona, kur është marrë me gratë, vajzat, djemtë, motrat, nipërit, mbesat, kushërinjtë e çdo kundërshtari që i ka dalë përpara, i madh apo i vogël. E ka bërë gjithmonë duke e kthyer politikën në një teatër të shpifur sharjesh e fyerjesh pambarim", - deklaroi z.Rama.

Menjëherë më pas, Rama tha se "e kam thënë dhe e them e do ta them përsëri, me forcën më të madhe, që interesat ekonomike e financiare të familjes së Sali Berishës, po diktojnë qeverisjen e vendit më shumë sesa interesat publike e qytetare të njerëzve të këtij vendi".

e.r/NOA - Më shumë foto te Galeria

Lexoni më shumë mbi argumentin:

Ndoka: Ke vetëm një zgjidhje Berisha, hap kutitë ose përballu me protestën më të fuqishme

Leskaj: Kjo është beteja për të ardhmen, vjedhja e votës jo më mburojë për Berishën

Dule flet në protestë: Në BE nuk shkohet me kuti të mbyllura, por vetëm me demokraci

Protesta e PS-së, Ruçi: Berisha i tmerruar nga kërkesa jonë e pandryshueshme

"Ku është vota ime", nis protesta e opozitës

Protesta e opozitës, ministria vendos shërbim shëndetësor 24 orë

Protesta e PS-së, policia: Kufizimet e qarkullimit vetëm kur të jetë e nevojshme

Topalli gjatë vizitës me homologen e Islandës: Protesta e PS kundër heqjes së vizave

Ambasada e SHBA pro protestës së PS: Mbështesim lirinë e shprehjes dhe tubimit

KOMENTE