English

Zhvillohet Konferenca mbi Kontrollin Demokratik dhe Marrëdhëniet Civilo-Ushtarake

Tiranë 20 nëntor NOA - Ka nisur sot punimet konferenca "Mbi Kontrollin Demokratik dhe Marrëdhëniet Civilo Ushtarake", e cila organizohet nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, me mbështetjen e DCAF (Qendra e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura).

Në të ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahia, shefi i Shtabit të FA gjeneral brigade Maksim Malaj, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ushtarakë, studiues dhe ekspertë të lartë të vendit dhe të huaj, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Kjo konferencë synon të vlerësojë zhvillimet në fushën e marrëdhënieve civilo-ushtarake dhe të kontribuojë për përmirësimin e qeverisjes në sektorët e Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe të ndihmojë në ndërtimin e një axhende kombëtare për reformën e mëtejshme për marrëdhënie të konsoliduara civilo-ushtarake.

Në fjalën që mbajti në këtë veprimtari Ministri Imami theksoi se, kjo konferencë është shumë e rëndësishme, por është veçanërisht e rëndësishme për momentin që po kalojnë Forcat tona të Armatosura, për shkak të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur brenda kësaj Force në 20 vitet e fundit dhe që në një masë të madhe nuk janë të njohura për publikun e gjerë.

Një raport i mirë midis Forcave të Armatosura dhe publikut në tërësinë e tij do të bënte të mundur që publiku të kishte një perceptim më të mirë, më të qartë, më të plotë dhe më të drejtë mbi gjendjen në të cilën janë Forcat tona të Armatosura, me detyrat që ato faktikisht kryejnë, mbi nivelin e punës së tyre, të operacioneve ku ato marrin pjesë dhe, në veçanti, të rëndësisë që kanë Forcat tona të Armatosura në kuadrin e Aleancës dhe në këtë kuptim për sigurinë e vendit dhe më gjerësisht për politikën e jashtme të këtij vendi.

"Marrëdhëniet civilo-ushtarake nuk janë një koncept krejt i ri për FA Shqiptare, - ka vijuar më tej Ministri Imami, - në fakt ato kërkojnë krijimin e një fryme bashkëpunimi, shkëmbimi dhe besimi midis FA dhe publikut.

E vërteta është se edhe për NATO-n ka një qasje të re ndaj këtyre marrëdhënieve, veçanërisht në kuadër të angazhimit në misionet ndërkombëtare. Forcat tona duhet të ndjekin këto dinamika zhvillimi në mënyrë që të aftësohen për të kryer operacione jo vetëm thjeshtë militare, por edhe civile dhe rasti më i fundit i kësaj domosdoshmërie është Afganistani, ku Aleanca e ka përshtatur strategjinë e saj duke gërshetuar elementët ushtarakë me ato civilë".

Në fakt, është shprehur z. Imami, Shqipëria po merr disa angazhime në kuadër të Aleancës në Afganistan.

Përveç aspekteve militare, ku ne kemi dy kompani dhe oficerë në shtabe të ndryshme, këto ditë niset edhe një skuadër mjekësore dhe 20-22 mjekë dhe infermierë, do të kontribuojmë për ndërtimin e disa shkollave, do të japim bursa për disa studentë afganë, po mendojmë që të ngremë disa kapacitete speciale të ushtrisë që të ndihmojnë në rikonstruksionin e përkohshëm aty ku është edhe fusha e luftimit, gjë e cila rrit besimin dhe krijon marrëdhënie midis ushtrisë dhe popullsisë civile atje.

Më tej z. Imami ka theksuar se, ushtarakët duhet të bashkëpunojnë me stafet civile, me institucionet e shoqërisë civile, me mediat dhe me çdo organizëm civil që do të mund të kontribuonte për ndërtimin e një imazhi civil për FA, për shkak së çështjet e Sigurisë nuk janë thjeshtë dhe vetëm militare, por më gjithëpërfshirëse dhe kanë nevojë edhe për ekspertizë në të gjitha fushat.

Nga ana tjetër Forcat tona të Armatosura duhet të afrohen më shumë me komunitetin lokal, përfaqësuesit e FA duhet të jenë më shumë prezentë në problemet komunitare, ushtarakët nuk duhet të shikohen, po themi, si të ndryshëm përkundrejt civilëve, por si një pjesë e rëndësishme që kryejnë një funksion të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare, ka përfunduar fjalën e tij Ministri Imami.

Më pas punimet e konferencës kanë vazhduar në panele dhe është diskutuar rreth studimit mbi praktikën e kontrollit demokratik parlamentar mbi Ministrinë e Mbrojtjes dhe FA në mënyrë të veçantë në fushën e buxhetimit dhe prokurimeve; për sondazhin mbi perceptimin publik mbi FA dhe Ministrinë e Mbrojtjes; studimin mbi marrëdhëniet midis FA dhe drejtimit civil, si dhe do të prezantohen gjetjet e një studimi mbi autoritetin drejtues në vend në fushën e Sigurisë.

e.r/NOA

KOMENTE