Berisha flet për protestën e opozitës, apel Ramës nga Kruja: Lër tubimet, eja në Kuvend
Krujë, 21 nëntor NOA - Kryeministri Sali Berisha reagoi sot në lidhje me protestën e opozitës e nisur dje pasdite pranë selisë së këshillit të Ministrave, duke vlerësuar se kjo nuk është një zgjidhje.
Berisha i ka bërë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste që të ndalë këtë fushatë të paralajmëruar se do të zgjasë tre ditë dhe të fusë deputetët e tij në Parlament.
Këtu Berisha ka lëshuar dhe garancinë e fortë për faktin se nuk do të ketë rihapje kutish pasi gjyqësori e ka dhënë verdiktin: "Edhe Enver Hoxhën po ta zgjosh nga varri, harroje se mund të ndryshosh vendimin e gjykatave të këtij vendi të lirë"
Në këtë pikë, Berisha lëshoi edhe një herë tjetër një ftesë ndaj kryetarit të PS për bashkëpunim: "Nga vendi i Skënderbeut, i them Edi Ramës se jam i hapur për bashkëpunim, por jo me kocka mafioze të tipit "Gramoz Ruçi".
Në vijim, duke folur për zhvillimin e vendit, Berisha u tha të pranishmëve se "në këtë vit, që nga koha e Skënderbeut, ne shënuam hapat më të mëdha në drejtim të integrimit tonë".
Këto pohime, Berisha i bëri pak minuta më parë, ndërsa ishte në Krujë, ku përuroi rrugën e re, Krujë-Sarisaltik.
Ai vlerësoi se kjo rrugë do t'i japë gjallëri kësaj zone si për pelegrinazhin në teqenë e Sarisalltikut, ashtu edhe për mundësitë e zhvillimit të turizmit.
/a.a/r.b/NOA/