Tiranë, 21 Nëntor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste Eduard Shalsi u shpreh sot para protestuesve se mentaliteti komunist vazhdon ende të jetë i pranishëm në mendjen e kryeministrit Sali Berisha.
"20 vjet më parë ne e shembëm regjimin komunist, por sot konstatojmë se mentaliteti komunist vazhdon ende të jetë në kokën e një njeriu: bolshevikut të fundit në Europë, Sali Berishës", tha Shalsi para protestuesve.
Ai theksoi gjithashtu se "Sali Berisha është arsyeja e vetme pse ne jemi akoma në bisht të Europës".
Teksa Shalsi po u drejtohej protestuesve përpara kryeministrisë, Berisha u shfaq për herë të dytë, ashtu si dhe një ditë më parë, në dritaren e zyrës së tij dhe provokoi protestuesit duke u treguar dy gishtat e ngritur.
Ky veprim irritoi protestuesit dhe Shalsi u detyrua ta ndalë fjalën e tij. Në këtë moment Shalsi shtoi: "Ky tranzicion nuk do të përfundojë asnjëherë në rast se ne nuk e mbyllim Berishën në kutinë e tij".
e.r/NOA