Tiranë, 22 Nëntor NOA - Kryeministri Sali Berisha tha sot se tubimi i opozitës që po vazhdon sot në ditën e tretë, po shoqërohet me mashtrime të kryetarit të PS, Edi Rama mbi votimet e 28 qershorit dhe shprehjen e gjyqësorit për rregullsinë e tyre.
"Të mohosh se nuk ka vendim gjykate mbi votimet e 28 qershorit, do të thotë të mashtrosh dhe kësaj duhet t'i jepet fund", vlerësoi kryeministri, duke iu referuar deklaratave të Ramës se nuk ka vendim të gjykatave që njeh zgjedhjet e rregullta.
Duke u ndalur te tubimi i opozitës që ende po vazhdon Berisha tha se qeveria e tij garanton protestën e cilitdo në këtë vend.
Kurse shtoi se pavarësisht se sa mund të zgjasë mitingu, "unë mbetem i hapur dhe ftues për dialog dhe kam bërë një ftesë shumë serioze, por çdo gjë duhet të bazohet mbi të vërteta dhe jo mbi mashtrime".
Berisha edhe sot, thekson se zgjedhjet kanë certifikimin më të mirë dhe si të tilla nuk mund të vihen në diskutim.
Pohimet e Berishës u bënë sot paradite pasi ai mori pjesë në një ceremoni për 20-vjetorin e vdekjes dhe përcjelljen e eshtrave të Selman Riza.
e.r/NOA