"Presim që marrja e statusit të vendit kandidat të përmbyllet brenda vitit 2010, për të krijuar mundësinë që në vitin 2011 të hapen negociatat e anëtarësimit", thotë ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, në intervistë për radion Evropa e Lirë
Kur prisni që Komisioni Evropian t'ia dërgojë Shqipërisë pyetësorin, përgjigja e plotë ndaj të cilit do të garantojë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian? Ne besojmë se të gjitha këto lëvizje formale dhe punë të Komisionit Evropian për pyetësorin, të përmbyllen para Krishtlindjeve, ose brenda vitit 2009. Gjithsesi, ne jemi gati që të fillojmë nga puna ditën e nesërme që do të mbërrijë ky pyetësor. Nuk e kemi lënë pas dore pjesën e parë që është pjesa më e rëndësishme - të bërit gati për të mos humbur kohë në momentin kur do ta kemi pyetësorin në dorë. A ka një ide paraprake qeveria shqiptare se sa do të jetë numri në total i këtyre pyetjeve? Në fakt, ne nuk mund të themi sot se sa janë pyetjet që do të mbërrijnë për pyetësorin shqiptar, çfarëdolloj kalkulimi që kemi bërë është bazuar në eksperiencat e vendeve të tjera, të cilat janë thuajse në të njëjtën fazë me ne, në të njëjtin nivel të përafrimit me Shqipërinë, pavarësisht se diku më pas, në çështje të caktuara. Por, në ecurinë e tyre, në performancën që kanë në zbatimin e procesit të stabilizim-asociimit, kanë ngjashmëri me Shqipërinë të qenët vende potenciale kandidate. Pra, duke iu referuar, me përjashtim të Islandës, e cila kishte një pyetësor me një numër të kufizuar pyetjesh, rreth 353, por përsëri mbërriti në rreth 300 pyetje me nënpyetjet nën të. Ne besojmë që pyetjet primare, pra pyetësori që do të mbërrijë në Shqipëri do të jetë diku me rreth 2,300 - 2,400 pyetje, të cilat bashkë me SA-pyetjet do të shkojnë në 4,000, po të llogarisim këtu edhe anekset që i bashkëngjiten dhe që duhet të jenë. Pra, anekset skrutinojnë dhe janë dëshmia e legjislacionit, të cilin do ta bashkëngjisësh kur flet për një dhe kur i jep përgjigjen një pyetjeje se cilin legjislacion dhe çfarë ligji ka përafruar ligji X, në aneks, do të bashkëngjisësh ligjin shqiptar të përkthyer në gjuhën angleze. E gjitha, së bashku në volum fizik letrash sasie, llogariten, bashkë me përgjigjen e disa pyetjeve, se duhet të jenë rreth 8,000 faqe. Kjo nuk është për të treguar kuriozitet, por për të matur në njëfarë mënyre volumin e madh dhe seriozitetin, me të cilin Komisioni Evropian merr vlerësimin e një vendi, i cili kërkon të procedojë më tej në pjesën e integrimit. Pse ky dokument quhet dokumenti bazë i vlerësimit? Sepse vlerëson të gjitha fushat, shqyrton të gjitha fushat dhe mbërrin jo vetëm në një volum fizik të lartë dhe të madh si volum, në të cilin do të zënë rreth një metër e gjysmë të pyetësorit, por kjo tregon se sa në detaje ndiqet dhe vlerësohet ecuria dhe performanca e një vendi në procesin e integrimit. A pritet të ketë një fokusim më të madh të Komisionit Evropian në disa fusha, ku, për rrjedhojë, edhe numri i pyetjeve mund të jetë edhe më i madh? Të gjitha fushat janë fusha që vlerësohen, që shqyrtohen. Pjesa më e madhe e pyetjeve i takojnë kriterit politik, drejtësisë, lirisë dhe çështjeve të brendshme, ku këtu ne do të kemi të përfshira Ministrinë e Drejtësisë, Gjyqësorin, KLD-në, Prokurorinë e Përgjithshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, pra të gjitha çështjet që përfshijnë kuadrin e ligjeve dhe të drejtësisë. Një pjesë të rëndësishme sigurisht që do ta ketë përafrimi i legjislacionit, për sa i përket kriterit ekonomik, sepse bëhet gati dhe vlerësohet gatishmëria e vendit për të qenë pjesë e tregut të përbashkët evropian dhe për të përballuar konkurrencën. Pjesa, në të cilën ne parashikojmë të ketë, le të themi, përgjigje më të vështira, ose më me substancë, është pjesa kur kërkohet ide dhe vizion në momentin kur vendi do të jetë vend anëtar i Bashkimit Evropian. Në këtë pyetësor administrata shqiptare nuk do t'u përgjigjet thjesht pyetjeve në formë kuizi, duke dhënë përgjigje për çka dihet. Por, ka pyetje, ka situata, të cilat ne duhet të parashikojmë, p.sh, kur Shqipëria të jetë vend anëtar në Bashkimin Evropian, le të themi, më 2014 çfarë do të ndodhë në Parlamentin Evropian, si do të përfaqësohet Shqipëria, apo si do të orientohet drejt një votimi për një çështje të caktuar - kyç të politikave të BE-së. Pra, këto do të jenë çështjet më sensitive ku, sigurisht, kërkohet një vendimmarrje më e lartë sesa përfshirja vetëm e specialistëve apo e nëpunësve civilë të administratës. Drejtësia do të jetë fushë kryesore që do të trajtohet nga pyetësori. A mund ta ngadalësojë procesin deri në marrjen e statusit të vendit kandidat mungesa e opozitës në Kuvend, duke pasur parasysh se ligjet e fushës së drejtësisë që kërkojnë 84 vota, nuk mund të miratohen? Mua do të më pëlqente që në këtë situatë paszgjedhore, ku gati çdo ditë ka ftesë nga Qeveria, nga mazhoranca, për opozitën për t'u kthyer ajo në Kuvend. Sigurisht, do t'më pëlqente shumë që të thosha se situata jonë është një situatë ideale sa i përket kalimit të çdo lloj bllokimi që mund të sjellë momenti, por fatkeqësisht nuk mund ta them dot këtë gjë. Nuk mund ta them, sepse ne ende sot nuk dimë nëse do të ketë një vendimmarrje nga opozita për hir të ngjarjeve, nëpër të cilat kalon vendi, për hir të zhvillimeve të vrullshme ku jemi përfshirë, për hir të një momenti që nuk ka se si dhe nuk meriton të ketë kthim prapa për qytetarët shqiptarë, sepse ne flasim për vlerësim të kapaciteteve në Shqipëri për të vlerësuar gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë shtet anëtar i BE-së. Dhe, për aq kohë sa ëndrra e të gjithë shqiptarëve është që Shqipëria të jetë anëtare sa më shpejt në BE, një ëndërr e bartur që nga fillimet e ndryshimeve të regjimit në vend, që nga fillimet e lëvizjes demokratike, në të cilat eksponentë të opozitës kanë qenë pjesë aktive, diku më pasive, diku kanë qenë në krahun e djathtë pastaj në të majtin, e ka edhe nga ata që nuk e dinë më fare as në cilin krah janë, por unë pres që gjithë kjo ëndërr e mbajtur për vite me radhë, në këtë moment që ka mundësinë të bëhet realitet, do të kishte qenë joideale, sepse po bëjnë një sakrilegj. Por, është domosdoshmëri dhe është detyrim i tyre; është nevojë për të qenë pjesëmarrës në realizimin e këtij momenti historik për shqiptarët. Sepse nuk është vetëm kjo pjesë e pyetësorit, ose le të themi e shtyrjes dhe shqyrtimit të aplikimit, por është çështje më afatshkurtër për ne, është çështja e përfitimit të liberalizimit të heqjes së vizave. Kjo do të thotë që, në qoftë se ne do të mbyllim, do të marrim avinë për të qenë vend kandidat brenda vitit 2010, ose kah fundi i 2010-ës. Ne presim që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt në momentin që do të përmbyllen kushtet e vendosura në udhërrëfyesin e Shqipërisë. Pra, mund të jetë edhe më shpejt sesa gjysma e dytë e 2010-ës që ka qenë premtimi ynë elektoral. Që të votohen ligjet, të cilat kanë nevojë në Parlament për 2/3-at dhe ligjet, që çojnë përpara reformat në drejtësi dhe reformat në gjyqësor, e rëndësishme është që të jetë pjesëmarrja me 84 vota minimumi. Tani unë e kam vështirë të parashikoj se sa do të zgjasë kjo lloj situate amullie në kampin opozitar. E vërtetë është që ka nevojë; ka nevojë për aq kohë sa është detyrim kushtetues, për aq kohë sa është detyrim kombëtar dhe ka shumë nevojë edhe për të shprehur vizionin e Partisë Socialiste dhe detyrimin e tyre karshi militantëve të tyre, sepse nuk besoj se militant sot në politikë është vetëm ai që ndjek prapa idenë e çmendur të kryetarit. Militantizëm politik është që t'i qëndrosh me militantizëm premtimit që u ke dhënë qytetarëve që ta kanë dhënë votën. Militant në politikë është ai që zbaton dhe ndjek atë çka i kanë kërkuar ata që e kanë votuar dhe qëndron si garant, sepse betohet dhe është garant për t'i plotësuar detyrimet e atyre që përfaqëson. Çdo deputet përfaqëson nga pas një numër të caktuar njerëzish. Asnjë deputet, as Partisë Demokratike, as i ndonjë force tjetër, për më tepër as i Partisë Socialiste nuk është në Parlament, sepse përfaqëson Edi Ramën. Përfaqëson një numër njerëzish, të cilët numerikisht mendurisht janë shumë më tepër sesa Edi Rama i vetëm. Zonja ministre, a ka Qeveria ndonjë parashikim mbi afatin se kur Shqipëria do të fitojë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian? Ne kemi bërë një kalendar, i cili do të miratohet besoj në javët në vijim bashkë me metodologjinë për gjithë administratën shqiptare, një metodologji shumë e thjeshtë me hapa konkretë, që nga marrja e një pyetjeje në dorëzim, dhënia e një specialisti për t'iu përgjigjur dhe deri në momentin kur do të miratohet nga Këshilli i Ministrave ose nga Komiteti Ndërministror i Integrimit, që do të jetë autoriteti më i lartë për pyetësorin, një kalendar ku i kemi përcaktuar në vija të përgjithshme detyrimet se sa do t'i lihet kohë në dispozicion një institucioni, ose të paktën kemi parashikuar sa kohë ka nevojë për t'iu përgjigjur setit të pyetjeve të tyre. Në parashikimin tonë, e rëndësishme është që ne ta përmbyllim në 2010-ën. Brenda një kohe sa më të shkurtër do të rezervohen, po e them periudhën kohore për të mos qenë e pasaktë më vonë, ne do të preferonim që ta mbyllnim brenda një periudhe të paktën katër mujore, jo më shumë. Por gjithsesi kjo nuk është për t'u marrë për të saktë më vonë, për aq kohë sa do të shohim nga momenti që do të mbërrijë pyetësori dhe deri në dorëzimin e pyetjeve të plota. E rëndësishme për ne është që periudha që do ta marrim, të shfrytëzohet maksimalisht për të dhënë përgjigje të sakta, në mënyrë që të mos kemi shumë pyetje të tjera më pas dhe t'i lëmë mundësi Komisionit Evropian që t'i shqyrtojë përgjigjet, t'i lexojë përgjigjet dhe të krijojë atë çka kërkon Këshilli, avinë për të kaluar më pas dhe për të miratuar statusin e vendit kandidat. Prandaj, presim që dhënia e avisë dhe marrja e statusit të vendit kandidat të përmbyllet brenda vitit 2010, për të krijuar mundësinë që në vitin 2011 të hapen negociatat e anëtarësimit.