English

Çfarë sot, është burrni

"Sot është burrni të qëndrosh në krahun e të drejtës së pamohueshme të popullit të tërë për të parë e lexuar votën e tij. Jepja qytetarëve me vullnet të lirë këtë të drejtë, përpara se sa vullneti i tyre lirë të të heq të drejtën të qeverisësh. Ne nuk duam pushtetin tënd, por të drejtën të shohim votat tona. Një protestues më kërkoi mbrëmë të thosha këto fjalë, të cilat më pëlqyen shumë: ne duam t'i bëjmë autopsinë zgjedhjeve të vdekura, që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin nga e njëjta sëmundje"

Nga Edi Rama* Foto gjatë fjalimit; NOA/LSA

Një lëvizje e re popullore ka lindur në Shqipëri.

Sot Shqipëria nuk është më ajo e 48 orëve më parë. Populli opozitar më i bashkuar për lirinë dhe më i shumtë në numër se asnjëherë për të drejtën sovrane, ka shkruar në formë ultimative kërkesën e tij për qeverinë: të hapen kutitë e votimit, ose vala e protestës do të hapet në gjithë Shqipërinë, deri në largimin e qeverisë.Â

Ju të gjithë përfaqësuesit qytetar të atyre 100 mijë shqiptarëve e shqiptareve, që 48 orë më parë i treguat botës mbarë imazhin e Shqipërisë reale të qytetarëve të shkelur në të drejtën e votës së lirë, qëndruat 2 net me radhë, duke treguar se beteja qytetare për të drejtë të pa negociueshme hyri vendosmërisht në një fazë të re.

Sot Shqipëria nuk është më ajo e 48 orëve më parë.Â

Beteja jonë për hapjen e kutive të 28 qershorit, për transparencën e plotë të zgjedhjeve, për legjitimin e parlamentit shqiptar do të vazhdoj më tej, në një betejë të rezistencës aktive, politike e qytetare kudo, çdo ditë, e me çdo mjet të protestës, përballë një qeverie, që brenda 10 ditësh duhet të zgjedhë përfundimisht: Ose të hap kutitë, ose të pranoj rënien e saj. Rrugë të mesme mes lirisë dhe mungesës së lirisë nuk ka, rrugë të mesme mes të drejtës dhe padrejtësisë nuk ka, zgjedhje të lira ose jo të lira, edhe të drejta edhe të padrejta, edhe me apo standarde dhe pa standarde nuk ka.

Ne nuk po kërkojmë pushtetin, por të drejtën tonë demokratike e ligjore për të parë votën nga ka dalë pushteti. Nëqoftëse pushteti na mohon të drejtën të shohim, ne do ti mohojmë pushtetit të drejtën që të na qeverisë.Â

Kam dëgjuar me shumë vëmendje gjatë këtyre orëve shumë prej jush. Ndjej njësoj si edhe ju, të rritet brenda meje ndjenja e revoltës ndaj këtij pushteti të grabitur, që kërkon të grabitë gjithë Shqipërinë. I mirëkuptoj plotësisht të gjithë ata ndër ju, që padrejtësia e 28 qershorit, por edhe të gjitha padrejtësitë dhe zullumet që pasojnë njëra-tjetrën, duke u nxirë jetën përditë e më shumë i shtyn drejt mendimit se ky pushtet horrash duhet shporrur me dhunë.

Jo miqtë e mi. Forca jonë qëndron tek e drejta e madhe që kemi me vete. Fitorja jonë do të vij nga mbrojtja e kësaj të drejte me forcën e të gjitha arsyeve të rezistencën tonë, me një valë të ndashme dhe të pandalshme protestash, përpara të cilës Sali Berisha do të dorëzohet si çdo uzurpator. Por ne nuk jemi forca e verbër e së shkuarës që rikthehet në jetën shqiptare me dhunë, për të marrë pushtetin. Jemi fuqia e së ardhmes, që do t'i japë fund pushtetit të dhunës mbi zgjedhjet, me të gjithë të drejtat dhe liritë kushtetuese të qytetarëve. Ne nuk vijmë nga tradita e dhunës mbi institucionet dhe nuk nxisim dhunë ndaj institucioneve të marra peng nga dhunuesit e votës tonë. Ne vijmë nga vizioni ynë demokratik perëndimor. Ne do tu rezistojmë dhunuesve të institucioneve duke mos u lëshuar më asnjë milimetër rrugë në ushtrimin abuziv të pushtetit të tyre ilegjitim.Â

Ne nuk qëndruam këtu për ta pushtuar fizikisht Kryeministrinë, por për t'i treguar njeriut që e ka pushtuar atë, se ka dy rrugë për të dalë nga zullumi ku është zhytur duke grabitur zgjedhjet: Ose të hap kutitë ose të ik bashkë me kutitë.Â

Kjo betejë nuk është më asnjë betejë fjalësh, mes nesh që themi të hapen kutitë dhe Saliut që thotë, kutitë nuk hapen sikur qielli dhe toka të puqen. Qielli dhe toka nuk do të puqen, ndërsa në këtë qiell dhe mbi këtë tokë, kjo betejë do të kaloj në një fazë të re jo vetëm fjalësh, por edhe veprimesh ndaj pushtetit që nuk i ka votat e popullit për të qeverisur Shqipërinë.

Nëqoftëse brenda 10 ditësh Sali Berisha nuk hap kutitë e votimit për të mbajtur me pahir qeverinë e tij dhe të mbajtur peng duke shkatërruar shtetin dhe ekonominë e shqiptarëve për interesat e familjes së tij, ne do ta ngremë në këmbë popullin shqiptar si një familje të vetme vlerash demokratike dhe do të ndalemi vetëm kur në Shqipëri të jenë shpallur zgjedhjet e parakohshme.Â

Uroj që kjo javë e fundit e nëntorit, java e festave të mëdha kombëtare dhe fetare, të sjell dritën e arsyes në tunelin e shembur të interesit të Sali Berishës për pushtetin personal.Â

Apeli im për Sali Berishën, në emër të shqiptarëve që duan liri dhe demokraci, dhe në radhën më të parë në emër të gjithë opozitarëve, përtej së majtës dhe së djathtës, se nuk është burrni të qëndrosh kokëfortësish mbi kutitë e mbyllura të krimit elektoral, siç qëndrove mbi piramidat e mashtrimit financiar. Sot është burrni të qëndrosh në krahun e të drejtës së pamohueshme të popullit të tërë për të parë e lexuar votën e tij. Jepja qytetarëve me vullnet të lirë këtë të drejtë, përpara se sa vullneti i tyre lirë të të heq të drejtën të qeverisësh. Ne nuk duam pushtetin tënd, por të drejtën të shohim votat tona.Â

Një protestues më kërkoi mbrëmë të thosha këto fjalë, të cilat më pëlqyen shumë: ne duam t'i bëjmë autopsinë zgjedhjeve të vdekura, që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin nga e njëjta sëmundje."

Ky është apeli ynë qytetarë. Kjo është esenca e protestës tonë. Kjo është arsyeja që kjo protestë ka vetëm një gjasë, që të shkoj duke u fuqizuar dhe duke u rritur më shumë, e duke u bërë protesta e çdo qytetari.Â

Sali Berisha ka 10 ditë kohë për t'u menduar dhe për të reaguar ndaj apelit tonë: Zgjedhja është e tij, e drejta është e jona.

Së fundmi, faleminderit me gjithë zemër. Faleminderit të gjithë atyre që parmbrëmë ishin në këtë bulevard 100 mijë qytetarë e qytetare, dhe të gjithë atyre të tjerëve që në këto 48 orë nuk kanë pushuar së shprehuri mbështetjen dhe solidaritetin e tyre brenda dhe jashtë kufijve, për këtë manifestim të madh vlerash qytetare, demokratike dhe atdhetare.Â

Faleminderit të gjithëve ju, motra e vëllezërve që u gdhitë sot në shesh, ku sapo keni filluar të shkruani një histori të bukur shqiptare. Mirupafshim shumë së shpejti.

(*) Fjala e mbajtur në mbyllje të protestës treditore të opozitës

KOMENTE