English

Harxhi me homologun e saj sirian në Damask, negociata për disa marrëveshje

Damask, 22 Nëntor NOA - Në kuadër të një turi në Lindjen e Mesme Zv/ministrja e Punëve të Jashtme Znj. Edith Harxhi, vizitën e parë e zhvilloi në Republikën Arabe të Sirisë.

Gjatë vizitës në Damask, Znj. Harxhi u takua në Ministrinë e Punëve të Jashtme me homologun e saj z. Al Mura.

Znj.Harxhi paraqiti pikëpamjet e qeverisë shqiptare lidhur me nevojën për intensifikimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Sirisë.

Në takim u fol për disa marrëveshje në fushën ekonomike, të turizmit dhe rreth protokolleve të përbashkëta të bashkëpunimit që priten të nënshkruhen së shpejti midis Shqipërisë dhe Sirisë.

Zonja Harxhi gjithashtu i parashtroi palës siriane domosdoshmërinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës, duke përmendur faktin se janë tashmë 63 shtete të botës që e kanë njohur atë dhe dy organizata të mëdha ndërkombëtare, mes të cilave 11 janë vende anëtare të Konferencës Islamike.

Zv. Ministrja e Punëve të Jashtme Znj. Edith Harxhi dorëzoi gjithashtu një mesazh nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi drejtuar homologut të tij Sirian Z. Bashar al-Assad.

Një takim i veçantë iu rezervua zonjës Harxhi edhe nga një grup shqiptarësh të diasporës sonë në Siri, të cilët evidentuan nevojën për lidhje më të ngushta me shtetin amë.

Së shpejti do të njoftohet edhe hapja e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Damask.

e.r/NOA

KOMENTE