Nga Milena Selimi - Për të parë të gjitha fotot, hyni te Galeria
Tiranë, 22 Nëntor NOA - Përfundoi mbrëmë në Pallatin e Kongreseve, pak para mesnatës, aktiviteti i rëndësishëm i muzikës së lehtë shqiptare "Kënga magjike 2009". Sipas votimeve nga vetë këngëtarët, vendi i parë: u takoi këngëtarëve Rosela Gjylbegu&Eliza Hoxha me këngën "Rruga e zemrës" teksti nga Eliza dhe muzika Darko Dimitrov.
Të emocionuara dhe në një atmosferë tejet të ngrohtë, këngëtarja Eliza u shpreh se "Ky është një çmim tepër i rëndësishëm për karrierën time".
Ndërsa Gjylbegu, mes ovacioneve nga publiku, që pothuaj se në korr thirrën emrin e fitueseve, ende pa u shpallur nga prezantuesi Gjebrea, theksoi se "Dua të përshëndes Darko Dimitrov, që më besoi muzikën e tij".
Vendi i tretë në këtë festival i shkoi këngëtares Soni, e cila duke qeshur u shpreh se "vetëm unë dhe Irma Libohova marrim gjithmonë çmime të dyta".
Vendi i dytë u fitua nga këngëtarja e re Elvana Gjata, me këngën "Dhe zemra ndal" (teksti Ardit Roshi, muzika Flori Mumajesi).
Festivali solli edhe shumë çmime të tjera ku spikatën çmimi i internetit për Elvana Gjatën, çmimi i publikut për Adelina Ismaili me këngën "Nuk ngec" (muzika Adi Hila), e cila mori pjesë në këtë aktivitet muzikor pas dhjetë vitesh.
Në një paraqitje të jashtëzakonshme skenike, me një veshje murgeshe, që shumë shpejt u ndryshua duke treguar një këngëtare, e cila nuk mund të ndryshojë performancën dhe personalitetin e saj artistik.
Bukuroshja kosovare bëri për vete publikun, duke treguar edhe njëherë, ashtu si edhe u shpreh se "Publiku i Tiranës mbetet i rëndësishëm për mua. Ju faleminderit!".
Në dhjetëshen e këngëtarëve më të mirë sipas vendit të dhjetë u rreshtuan: Rozana Radi, Olta Boka, Kastro Ziso, Adelina Ismaili, Kaltrina Selimi, Flori, Mira Koncci, Soni, Elvana Gjata dhe Eliza&Rosela Gjylbegu.
Si gjithmonë festivali solli shumë spektakël dhe mbi të gjitha pjesëmarrje të këngëtarëve jo vetëm të karrierës, por edhe më të rinjve, në një hapësirë mbarëshqiptare të muzikës shqiptare.
Skenografia u realizua nga Gaetano Castelli. Prezantuan: Ardit Gjebrea, i cili është edhe producent i këtij festivali, i shoqëruar nga Carmen Gjani dhe Katerina Kongoli.
m.s/e.r/NOA - Për të parë të gjitha fotot, hyni te Galeria