Tiranë, 22 Nëntor NOA - Kongresi i 17-të i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" ka dalë me një rezolutë ku shprehet i pakënaqur për rezultatin e saj në zgjedhjet e 28 Qershorit.
Rezoluta e konsideroi atë si rezultat jo real e që nuk përputhet me përkrahjen e vërtetë dhe peshën elektorale që ajo gëzon.
Kongresi theksoi se pavarësisht punës dhe fushatës voluminoze, ishin faktorët e jashtëm
ata që e imponuan rezultatin zgjedhor të PLL.
Nga ana tjetër, u shpreh bindja se PLL i ka të gjitha mundësitë për të rifituar peshën elektorale dhe se për këtë qëllim është i domosdoshëm një organizim serioz dhe kapilar i të gjitha strukturave.
Në kongres, me votim të fshehtë u rizgjodh si Kryetar të PLL z. Ekrem Spahiu.
***
Kongresi i PLL theksoi trashëgiminë e vet politike si një parti kombëtare me kontribute të rëndësishme qysh nga viti 1924 e deri ne ditët tona.
Kongresi vlerësoi arritjet historike të Kombit tonë, krijimin e shtetit të Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pranimin e aplikimit të vendit tonë për anëtarësim në BE, etj.
Kurse përshëndeti zhvillimin e zgjedhjeve të para vendore në Kosovën e lirë si edhe vlerësoi pjekurinë dhe maturinë e klasës së atjeshme politike për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.
Kongresi nënvizoi arritjet brenda vendit dhe rolin e kësaj maxhorance qeverisëse në sukseset e arritura si dhe shprehu nevojën për mos ndërprerjen dhe uljen e ritmit të reformave të ndërmarrja.
Ndërsa e konsideroi me legjitimitet të plotë maxhorancën aktuale dhe rikonfirmoi pozicionin politik të PLL si parti e koalicionit qeverisës.
Kongresi i PLL vlerësoi platformat e të dy kandidatëve për Kryetar të partisë dhe kërkoi prej strukturave të ardhshme drejtuese që në aktivitetin e ardhshëm të partisë të merren në konsideratë që të dyja.
Ndërsa i quajti destruktive qëndrimet politike dhe veprimet e opozitës së majtë dhe kërkoi prej saj qe t'i japë fund kundërvënies ndaj interesave kombëtare.
Kongresi shprehu nevojën e thellimit të identitetit te saj si një parti konservatore, nacionaliste e monarkiste si dhe vendosi që, në funksion të zgjerimit të identitetit të saj, në programin e PLL të shtohet paragrafi "PLL është parti e njerëzve që besojnë në Zot, vlerat hyjnore dhe rolin e rëndësishëm që kanë bashkësitë fetare për ndërtimin dhe zhvillimin e konstruktit shpirtëror të kombit."
e.r/NOA