Tiranë, 22 Nëntor NOA - Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot për protestën tre ditore të organizuar nga opozita duke e quajtur atë një dështim.
"Protesta gjoja treditore e Edi Ramës ishte një dështim i qartë në sytë e të gjithë shqiptarëve.
Deklaratat haluçinante për pjesëmarrje të ëndërruar prej mijëra vetësh, por që nuk ishin aspak të verifikuara në shesh, nuk e mbuluan dot dështimin dhe falë medias të lirë dhe të pacensuruar nga Rama, shqiptarët nuk e patën të vështirë të vlerësojnë vetë se çfarë ndodhi në rrugën para Kryeministrisë" tha sot anëtari i Kryesisë së LSI-së Dritan Ylli.
Sipas Yllit, kjo protestë kërkonte dhunimin e shtetit ligjor, përmes gjoja kërkesës për hapjen e kutive, e cila shkon në kundërshtim me ligjshmërinë e procesit, si rrjedhojë nuk përçoi një motiv frymëzues tek shqiptarët, të cilët janë dëshmitarë se Edi Rama vetë i hapi kutitë, vetë i numëroi ato dhe vetë i firmosi dhe i vulosi me 20 mijë komisionerët e tij.
"E gjithë kjo është vetëm një përpjekje e marrë e tij, për të nënshtruar shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve.
Ndaj qytetarët e refuzojnë mashtrimin e tij të sotëm, që është thjesht dhe vetëm në shërbim të interesave thellësisht personale të tij dhe të një klani të ngushtë klientelist që ka përreth.
Dhe këtë e vërtetoi dukshëm, fakti që protesta degradoi në nivelin ku kishte më shumë çadra, kioska për qofte, stufa gazi dhe disa kioska për nevojë të tjera" tha Ylli.
Më tej anëtari i Kryesisë së LSI-së u shpreh se zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2013, duke nënkuptuar kështu se fjalët e opozitës për zgjedhje të parakohshme janë boshe dhe se sipas tij Edi Rama ka mjaft kohë për të mësuar nga dështimi i kësaj proteste dhe për të vënë një herë të vetme interesat e shqiptarëve, mbi të tijat personale.
k.k/NOA
Â