Durrës, 22 nëntor NOA - "Këmbëngulja për hapjen e kutive të votimit të 28 Qershorit, është kërkesë e pabazuar dhe vetëm një justifikim i liderit të opozitës i cili është i tmerruar nga liberalizimi i vizave për shqiptarët".
Deklaratën, Ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri e bëri sot në në Kuvendin e 9-të të degës së Partisë Demokratike në Durrës, duke marrë shkas nga kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit.
Ai tha se besimin e qytetarëve, qeveria e Partisë Demokratike po e konverton në arritje. "Arritja më e madhe është liberalizimi i vizave, të gjithë zyrtarët evropianë kanë deklaruar se në 6-mujorin e parë të vitit 2010, do të liberalizohen vizat. Këtu fillon tmerri i liderit të opozitës Edi Rama".
Më tej ai iu drejtua kryet të PS në distancë: "Unë i them Edi Ramës, është i vetmi politikan në Shqipëri që nuk ka dalë asnjëherë përpara qytetarëve durrsakë, që nuk ka dalë asnjëherë përpara qytetarë shqiptarë, e të bëjë kërkesë për liberalizimin e vizave. Këtu fillon tmerri i tij dhe këtu fillon strategjia e tij për të penguar liberalizimin e vizave".
Kurse shtoi: "Zgjedhjet që lamë pas, ishin të vetmet zgjedhje që nuk kanë nevojë që të hapen kutitë sepse çdo fletë votimi nga veriu deri në jug të vendit doli para kamerave".
***
Xhaferri, njëkohësisht deputet i qarkut të Durrësit, ishte i pranishëm në Kuvendin e 9-të të degës së Partisë Demokratike në Durrës.
Ai ka shprehur mirënjohjen ndaj qytetarëve shqiptarë që me votën e tyre i besuan sërish qeverisë aktuale, duke përmendur se sipas tij, shumë premtime të qeverisë së mëparshme u realizuan.
Xhaferri përmendi "zgjidhjen përfundimtare të problemit të energjisë elektrike, investimet pafund në infrastrukturë, që përfunduan me rrugën që lidh Prishtinën me Durrësin".
Kurse u ndal tek rritja e pagave dhe pensioneve dhe te "lufta kundër korrupsionit" si dhe faktin që Shqipëria aplikoi për në Bashkim Evropian, nënshkroi MSA-në dhe arriti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
a.a.e.r/NOA