Do vijë një moment që edhe Doris Pack-ët e Europës do t'i thonë: Po mirë, opozita është kështu si thua ti, peng i njeriut të papërgjegjshëm Edi Rama, por ti çfarë bëre për ta evituar këtë situatë? Si nuk more mundimin të uleshe e të diskutoje me të lidhur me këtë gjë?
Nga Mustafa Nano, foto: LSA
Opozita shqiptare ka planifikuar të bëjë një demonstrim force në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Kanë kohë që përgatiten për të bërë një protestë, që do të zgjasë disa ditë. E në gjithë këtë histori duket se kanë bërë një gabim: kanë krijuar te mbështetësit e tyre idenë se bash këto ditë mund të rrëzohet Qeveria "Berisha". Mund t'ia arrijnë këtij qëllimi? Absolutisht jo. E nuk ka asnjë gjasë që vetë leadership'i ta ketë çuar në mendje një gjë të tillë. Objektivi duhet të jetë tjetër (që mund të arrihet): t'i tregohet diplomacisë ndërkombëtare, d.m.th., atyre që në njëfarë mënyre i kanë certifikuar zgjedhjet e 28 qershorit 2009, se vendosmëria për ta bërë rinumërim të votave është një kauzë popullore, rrjedhimisht se bojkotimi i parlamentit nuk ngrihet mbi teka të një grushti njerëzish të mbetur me gisht në gojë në mëngjesin e datës 29 qershor, por mbi zemërimin e mijërave njerëzve, të cilët nuk mund të pranojnë që vullneti i tyre elektoral të deformohet nga vullneti politik i pushtetit. Dhe kuptohet, nëse protesta do të jetë imponuese, situata politike pas saj do të jetë absolutisht e ndryshme nga ajo përpara saj. Kryeministri Berisha nuk ka lënë rast pa theksuar se rihapja e kutive është një gjë që s'mund të ndodhë kurrë, se procesi u vulos nga institucionet zgjedhore, se asnjë kryeministër nuk mund të dalë mbi gjykatat, e gjëra të tjera të kësaj natyre. Në të njëjtën kohë, ai gati çdo ditë i ka kërkuar opozitës të futet në Parlament. Si njeri me hënëz që është, herë i ka bërë lutje opozitës, herë ia ka kërkuar këtë gjë me ironi, dhe herë në mënyrë arrogante. Por duket që mungesa e opozitës në Parlament e shqetëson. Kudo që shkon, me siguri e pyesin: Po me opozitën ç'bëhet? Dhe kështu do të kalojnë disa muaj, e do vijë një moment, që edhe Doris Pack-ët e Europës do t'i thonë: Po mirë, opozita është kështu si thua ti, peng i njeriut të papërgjegjshëm Edi Rama, por ti çfarë bëre për ta evituar këtë situatë? Si nuk more mundimin të uleshe e të diskutoje me të lidhur me këtë gjë? Po sikur t'i hapësh një çikë kutitë, pasi kjo situatë nuk shtyhet më kështu? Kështu, ai ka frikë se një ditë gjërat mund të kthehen me kokëposhtë: mund të ndodhë që diplomacia ndërkombëtare të impresionohet nga vendosmëria e opozitës dhe të lodhet nga kokëfortësia e Berishës. Madje, ca shenja kanë zënë të shfaqen qysh tani. Ai me siguri ka pritur që ndërkombëtarët t'ia bëjnë rup-sup Edi Ramës, me siguri ka pritur që ata të skandalizohen nga bojkotimi i Parlamentit (ky i fundit është praktikisht një gjest i rëndë e jo fort i kuptueshëm në demokraci), por nuk ka vënë re ndonjë gjë të tillë. Ka dy arsye për këtë. Së pari, kryeministri i një vendi demokratik është përgjegjësi më i parë për klimën e konfrontimit politik dhe nga përgjegjësia nuk e shpëton as fakti që mund të ketë përballë një opozitë të supozuar si të prapë. Një kryeministër nuk mund të zgjedhë opozitën; ai duhet të dialogojë me të. Dhe këtë Berisha s'e ka bërë asnjëherë gjatë muajve të fundit. Ai është mjaftuar të thotë se "kutitë nuk rihapen kurrë". Së dyti, nuk është e pamundur që edhe ata të huaj që i mëshojnë idesë se pjesëmarrja në Parlament është shumë e rëndësishme, të fillojnë të jetojnë me idenë se në një regjim të demokracisë liberale ka një gjë më të rëndësishme se sa kjo. Quhet legjitimitet. Në gjuhën angleze quhet "legitimacy". Nga buron kjo "e shkretë" legitimacy? Në regjime të tjera mund të burojë dhe nga vetë Zoti, por në regjimin e demokracisë liberale buron nga vota e lirë e qytetarëve të lirë, e cila numërohet kokërr më kokërr. Vetëm vota e lirë e numëruar në mënyrë të ndershme mund t'i bëjë njerëzit të njohin të drejtën e dikujt për të qeverisur në emër të tyre (në këto rrethana mund të njohin madje dhe të drejtën e dikujt për të qeverisur keq, apo shumë keq). Vetëm vota e lirë e numëruar në mënyrë të ndershme mund t'i japë një leader'i të drejtën për të autorizuar deri dhe përdorimin e forcës kundër atyre që nuk e njohin të drejtën e tij për të qeverisur vendin. Rousseau thoshte se "edhe më i fuqishmi nuk është kurrë aq sa duhet i fuqishëm, nëse nuk ia del ta shndërrojë forcën e tij në një të drejtë dhe nënshtrimin (obedience) e të tjerëve në një detyrë". Këtë e bën vetëm vota e lirë e numëruar në mënyrë të ndershme. Dhe merret vesh se pa këtë votë forca nuk shoqërohet më me të drejtën, dhe nënshtrimi i të tjerëve nuk është më detyrë. Pyesin vazhdimisht: Pse Berisha e pushteti i tij u tutën përballë turmave të zemëruara në vitin 1997? Pse nuk e mbrojtën shtetin, institucionet? Shumë e thjeshtë: pushteti i Berishës ishte jolegjitim, pasi kishte dalë nga votat e grabitura të 26 majit të vitit 1996. Nëse do të ishte legjitim, do kish reaguar me forcë, ndoshta do ta vriste nja tridhjetë vetë (dhe me këtë padyshim do kishim një përthyerje dramatike të ngjarjeve), por të paktën do të evitohej një situatë 100 herë më dramatike: mbetën të vdekur nja tre mijë të tjerë, e tok me ta u dreqos për fare imazhi boll i dreqosur i Shqipërisë dhe i shtetit shqiptar. Në përmasa të tjera, e njëjta situatë është edhe sot. Opozita mungon në Parlament me pretendimin se vota është vjedhur. Vetëm kaq mjafton për të lënduar legjitimitetin e pushtetit. Si i bëhet? Duhen rihapur kutitë. Edhe sikur të gjithë të kishim bindjen se kjo është një tekë e opozitës, ne prapëseprapë duhet të binim dakord që ato kuti të rihapeshin. Përndryshe, Parlamenti i sotëm, e tok me të edhe të gjitha institucionet që burojnë prej tij, do të jenë me legjitimitet të munguar. Kjo bindje bëhet më e madhe kur dëgjon Kryeministrin që akuzohet si grabitës i votave, të thotë se "rihapja e kutive është ogurzezë (!!!!). Në fakt, vetëm një gjë është ogurzezë dhe në këtë pikë opozita ka të drejtë: mos-hapja e kutive mund të jetë ogurzezë.Â