English

Skandali i basteve, Federata Gjermane e Futbollit kërcënon autorët

Berlin, 22 nëntor NOA/DW - Në skandalin më të madh të basteve në futbollin evropian, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka kërkuar sot një sqarim të shpejtë si dhe "dënime frikësuese të shtetit".

Shefi i federatës Theo Zwanziger kërkoi në televizionin gjerman nga autoritetet hetimore në Bochum që të japin sa më shpejt të jetë e mundur emrat e autorëve dhe bashkëpunëtorëve.

"Kështu mund të shmangen dyshimet e mëtejshme për të pafajshmit".

Zwanziger mendon se përmasat e skandalit të basteve shtrihen, sipas fjalëve të tij, "në radhë të parë në rrafsh ndërkombëtar".

***

Futbolli evropian është duke u tronditur nga skandali më i madh me mashtrime bastesh në historinë e tij. Në nëntë shtete evropiane mafia e basteve ka manipuluar ndeshjet e futbollit.

Shifrat janë marramendëse. Sipas të dhënave të hetuesve janë manipuluar rreth 200 ndeshje. Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Mafiozët u kanë dhënë ryshfete lojtarëve, trajnerëve, arbitrave dhe zyrtarëve për të ndikuar mbi rezultatin e ndeshjeve, për të cilat janë vënë shumë para në baste.

Ndeshje të manipuluara ka patur në Gjermani, Belgjikë, Austri, Zvicër, Kroaci, Bosnjë, Slloveni, Hungari dhe Turqi. Edhe në tri ndeshje të Ligës së Kampioneve dhe 12 të Ligës Evropiane të sezonit aktual nuk duhet të jetë zhvilluar gjithçka legalisht.

Peter Limacher i UEFA-s nuk do të tregojë ende çfarë pasojash mund të ketë kjo: "Synimi ynë është në radhë të parë të shkatërrojmë përgjegjësit përkatës. Pastaj mund të flasim për pasojat".

Duket se manipulimet janë drejtuar nga Gjermania. Numri i të dyshuarve deri tani ka shkuar në 200, thanë hetuesit. 17 vetë janë arrestuar, 15 prej tyre në Gjermani. Mes tyre ndodhet edhe kroati Ante Sapina.

Ai ka qenë aktori kryesor në skandalin e manipulimit të lojërave të zbuluar në vitin 2005, që kishte të bënte me arbitrin gjerman, Robert Hoyzer. Të dy u dënuan me heqje lirie.

Reinhard Rauball, president i Ligës gjermane të Futbollit kërkon ligje më të ashpra: "Ne kujtuam se pas rastit të Hoyzer-it kjo temë nuk do të përsëritej më. Por u gabuam. Këtë po e shohim sot. Mua më duhet të takoj ministrin federal që merret me çështjet e sportit. Do ti këshilloj atij hartimin e një pakete ligjesh, në mënyrë që manipulimet e basteve të vlerësohen si vepër penale më vete."

Sipas hetimeve të deritanishme, në Gjermani duhet të jenë manipuluar 32 ndeshje. Asnjëra prej tyre nuk ka qenë ndeshje e Bundesligës, por e kategorisë së dytë. Thuhet se ndër të tjera dyshohet edhe për VfL Osnabrykun i cili ka dalë nga kategoria e dytë.

Theo Zwanziger, president i Federatës gjermane te futbollit, nuk duket të jetë i çuditur: "Kudo ku ka para ka edhe korrupsion. Kësaj nuk kemi çfarë ti bëjmë. Nuk e përjashtojmë dot si mundësi. Prandaj unë nuk jam i çuditur që ndodhin gjëra të tilla. Unë gëzohem që prokuroria është duke punuar me intensitet dhe hetuesit do të ndihmojnë që nëse është e nevojshme të ketë edhe pasoja".

Të çfarë lloji do të jenë konsekuencat, kjo do të varet nga rezultatet e hetimeve.

KOMENTE